Kundershtime mes Agjencinë Kosovare Kundërkorrupsioni dhe Qeverisë për pagat

31.01.2018 09:58:01

Konstatimi se rritja e pagave të zyrtarëve të lartë qeveritarë është e jashtëligjshme ka futur në sherr Agjencinë Kosovare Kundërkorrupsionit(AKK) me Qeverinë e Kosovës.

Kjo e fundit nuk është pajtuar me konstatimin e AKK-së, sipas së cilës zyrtarët e lartë publikë, duke përfshirë këtu kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat që kanë votuar vendimin për dyfishim të pagave “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

Për më tepër zyra ligjore e Qeverisë së Kosovës e akuzon Agjencinë e Kundërkorrupsionit për pasaktësi dhe joprofesionalizëm në vendimin e saj të fundit.

Në anën tjetër, partitë opozitare vendimin e kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit të tij e kanë quajtur skandaloz dhe kanë konfirmuar se një vendim i tillë tashmë është dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Përndryshe, në fund të vitit që lamë pas kryeministri i Kosovës përmes një vendimi ia ka dyfishuar pagën vetes dhe ministrave të kabinetit të tij. Më herët paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, ndërsa me rritjen e fundit ajo do të jetë 2950 euro.

Po ashtu, me vendim të Haradinajt paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2500 euro, ndërsa e ministrave nga 2000 euro.
Antikorrupsioni: Vendimi i fundit parandalon konfliktin e interesit

Agjencia Kundërkorrupsion ka cilësuar vendimin për rritjen e pagave të qeverisë “Haradinaj” si të kundërligjshëm. Madje sipas AKK-së, zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat) që kanë nënshkruar këtë vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit “Rast për rast”.

AKK-ja ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.
“Vendimi i Qeverisë, i datës 20.12.2017, nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur te zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, ka thënë AAK-ja në opinionin e saj.

AKK-ja rekomandon që vendimi të kthehet në rishqyrtim duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore, të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi.

AKK-ja ka thënë se ata kanë vepruar me qëllim që të parandalohet situata, e cila shfaq konflikt interesi. “Agjencia e Kundërkorrupsionit si institucion i pavarur vepron duke u bazuar në mandatin dhe në përgjegjësitë që ka.