Kupa “Nëna Terezë” bashkon skuadrat nga Kosova dh Shqipëria

Kupa “Nëna Terezë” bashkon skuadrat nga Kosova dh Shqipëria

26.01.2020 20:10:26

Kupa “Nëna Terezë”, tashmë nuk është vetëm një ide, mirëpo kjo kupë pritet t’i bëjë bashkë ekipet e futbollit nga dy shtetet shqiptare, ato nga Shqipëria dhe nga Kosova.

Kjo kupë shihet si alternativa e vetme për të pasur një kampionat mbarëshqiptar, si nga Federata e Futbollit të Shqipërisë (FSHF), ashtu edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), mirëpo për t’u realizuar një gjë e tillë, dy federatat duhet të marrin leje nga FIFA dhe UEFA.

Tashmë dokumentacioni me projektin në fjalë është dorëzuar dhe krerët e FSHF-së dhe FFK-së, janë në pritje të një përgjigje pozitive në mënyrë që ky aktivitet të fillojë qysh nga sezonin 2020/21.

Në këtë kupë, parashihet të marrin pjesë të gjitha ekipet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së dytë të të dyja vendeve. Aktualisht kategoria superiore e Shqipërisë ka dhjetë ekipe dhe e Kosovës ka dymbdhjetë. Kategoria e parë e Shqipërisë ka aktualisht 20 ekipe dhe kategoria e parë e Kosovës ka 16. Kategoria e dytë e Shqipërisë ka aktualisht 26 ekipe, ndërsa e Kosovës, 16 sosh.Në total pjesëmarrës në këtë kupë pritet të jenë rreth 102 ndeshje, ku do të zhvilloheshin më shumë se 200 ndeshje në total.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu për KosovaPress, është shprehur se në këtë kupë do të jenë të involvuara të gjitha klubet e futbollit si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Salihu u shpreh se dy federatat janë duke punuar që të gjitha shpenzimet e skuadrave të hiqen, duke kërkuar ndihmë edhe nga dy qeveritë, si nga ajo e Shqipërisë por edhe e Kosovës.

Sekretari i Federatës të Futbollit të Kosovës, gjithashtu bëri me dije se janë duke munduar që fituesi i kësaj kupe të mund të marrë pjesë në garat evropiane.

Ndërkohë që drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina e sheh këtë kupë si pozitive për klubet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ai ka theksuar se kosto financiare mund të jetë një pengesë, në realizimin e suksesshëm të kësaj kupe.

Ai gjithashtu theksoi se klubet duhet të mësohen që të luajnë në shumë fronte, në mënyrë që të kenë mundësi ta shijojnë arenën ndërkombëtare.

Edhe analisti tjetër i futbollit, Muhamet Dragusha e sheh këtë kompeticion si një ide mjaft të qëlluar, dhe shpreson që kjo do të jetë një rrugë më shumë që ekipet e të dyja shteteve të paraqiten në Evropë.

“Një ide e qëlluar për të filluar bashkimin e futbollit mbarë kombëtar, mendoj se në qoftë se aprovohet nga FIFA do të ketë një interesim të madh pasi vendi i parë dërgon në UEFA, kështu që unë pajtohemi parimisht më këtë ide dhe besoj që mund të jetë rrugë e mirë dhe një mundësi më shumë për pjesëmarrje në garat evropiane”, tha shkurtimisht Dragusha.

Kujtojmë që ditëve të fundit, përpos Kosovës dhe Shqipërisë edhe shtetet si Holanda dhe Belgjika kanë shprehur një ide të ngjashme, duke propozuar në UEFA, ligën e përbashkët.