Ndeshjet e së Dielës në Supersport

15.10.2017 12:16:35

Pas zhvendosjes së ndeshjeve më të rëndësishme për shkak të impenjimit të skuadrave kryesore të kampionatit spanjoll mesjavën e ardhshme, në Kupat e Evropës, në Primera Division takimi i mbrëmjes përsa i përket ditës së dielë luhet në orën 20:45, në Stadiumin Benito Villamarin, ku do të mbahet sfida Real Betis – Valencia. Falë 10 pikëve të grumbulluara në 4 javët e fundit ekipi i Quique Setien është duke fluturuar në vendet e lakmuara të ligës spanjolle, pasi për momentin klubi anadaluzian është pozicionuar në vendin e gjashtë të këtij kampionati. “Bardhjeshilët” i rikthehen ligës pas barazimit spektakolar 4-4 në Anoeta, ku Real Sociedadi përvecse ishte në ndjekje për pjesën më të madhe të kohës, arriti të barazojë rezultatin vetëm 4′ para fundit të takimit, gjithsesi përballë këtë radhë qëndron skuadra e Valencias, që falë kurës Marcelino Garcia Toral ka fituar prestigjin e humbur prej vitesh.

“Los che” nuk kanë pësuar akoma humbje pas shtatë javëve të para dhe në Sevilje Marselinjos do t’i rikthehet nga skualifikimi edhe mesfushori Kondogbia. Në Sevilje Betis ka fituar 4 nga 5 përballjet e fundit ndërmjet tyre, sidoqoftë në Benito Villamarin pritet një ndeshje plot gola duke patur parasysh që përballë do të vihen dyshet më të mira të kampionatit, Zaza – Rodrigo kundrejt binomit vendas Sanabria – Sergio Leon. Në orën 17:00 të apasionuarit e kampionatit anglez do të kenë mundësi për të shijuar duelin Southampton – Neëcastle United. Dy klubet ndahen nga plot 519 km, në ekstremet e këtij vendi, ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm “shenjtorët” aktualisht ndjekin me dy pikë më pak. Në St’Mary “magpies” janë mundur në katër vizitat e tyre të fundit, megjithatë skuadra e Rafa Benitez merr zemër nga fakti që Southampton-i në shtëpi nuk ka shënuar as gol në 8 nga 9 ndeshjet e fundit të Premier League-s.

Në Gjermani takimi përmbyllës i javës së tetë është Werder Bremen – Borussia Monchengladbach që do të luhet në orën 18:00, ndërsa më herët në orën 15:30 Leverkuzeni do të presë në shtëpi ekipin e Volfsburgut, ndeshje të cilat të apasionuarit e Bundesligës do të mund t’i ndjekin në Supersport, nëpërmjet kanalit Eurosport 2. Përvec “derbit të Madoninës” kampionati italian ofron gjithashtu edhe ndeshjet e orës 15:00 Sampdoria – Atalanta dhe Crotone – Torino. Dita celet pikërisht me Serinë A, në orën 12:30 me duelin interesant Fiorentina – Udineze, ndërkaq në Supersport nuk do të mungojë as këtë herë takimi i përhershëm me kampionatin holandez, ku në orën 14:30 ekipi i PSV Eindhovenit do të vizitojë Venlon, skuadër të cilën në Eredivisie e ka mundur vetëm Ajaksi i Amsterdamit.