Kur do të fillojë integrimi i gjyqësisë në veri në sistemin gjyqësor të Kosovës?

09.01.2017 12:25:27

Është shtyrë për një javë, deri më 17 janar, implementimi i Marrëveshjes për integrimine e gjyqtarëve serbë, prokurorëve dhe stafit të gjykatës nga veriu i Kosovës në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Shtyrja e zbatimit të marrëveshjes është konfirmuar në takimin e serbëve të punësuar në gjyqësinë e Kosovës me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.

Gjyqtarja, Jelena Krivokapiq, ka thënë për Tanjug se, në bazë të informatave që ka për momentin procesi i integrimit brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë, nuk do të fillojë me 10 janar, siç ishte planifikuar, transmeton Telegrafi.

Në bazë të Marrëveshjes, Gjykata Themelore në Mitrovicë do të punojë në dy ndërtesa – në ekzistuesen në veri dhe në ish – ndërtesën e ‘Jugobankës’ në jug. Përfaqësi të Gjykatës do të ketë edhe në Leposaviq e Zubin Potok.

Në veri do të punojnë 12 gjykatës serbë e nëntë shqiptarë, kurse në jug përqindja do të jetë 60 me 40 në dobi të shqiptarëve.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Integrimin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve Serbë në Sistemin Kosovar të Drejtësisë është arritur pas bisedimeve në Bruksel në vitin 2013, por ajo po shtyhet tash e sa kohë.