Kur do t’ju lejohen vizitat familjarëve të burgosurve nga Specialja në Hagë?

25.05.2021 13:36:43

Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në dhomat e paraburgimit në Hagë, ka muaj që nuk kanë pasur mundësi të takohen me familjarët e tyre.

Kjo për shkak të masave që Gjykata Speciale ka ndërmarrë për të mbrojtur të burgosurit nga mundësia e infektimit me virusin COVID-19.

Në një përgjigje Specialja nuk ka bërë të ditur nëse po planifikohet vaksinimi i familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së me vaksinat anti-Covid, në mënyrë që t’iu mundësohen vizitat fizike me të burgosurit.

Ata kanë thënë se aktualisht të burgosurit janë duke shfrytëzuar forma të tjera të vizitave virtuale.

“Në lidhje me vizitat familjare, bazuar në këshillat mjekësore për mbrojtje nga COVID-19, KSK zbaton masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin e të burgosurve dhe të tjerëve në Qendrat e Paraburgimit. Në çdo kohë, KSK-ja ka parasysh shëndetin dhe mirëqenien e individëve në Qendrën e Paraburgimit dhe i bazon politikat e saj në këshillat aktuale mjekësore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media nga Gjykata Speciale.

Ata kanë thënë se e kuptojnë që rifillimi i vizitave personale mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre ka rëndësi të madhe, andaj edhe masat aktuale janë nën rishikim të vazhdueshëm për ndonjë ndryshim të mundshëm.