Kur vepron shteti, respekton “mileti”!

18.09.2017 15:32:40

Elbasan, 18 shtator
Shteti është shtet dhe stabil, vetëm falë mekanizmit adekuat veprues dhe vetëm atëherë kur mekanizmi nuk keqpërdoret apo aplikohet njëjtë me standarde dhe për të gjithë. Jemi mësuar fatkeqësisht të shohim veprime jo të hijshme, jo adekuate dhe të papërputhshme me ligjin dhe rregullat! Ngjashëm ka ndodhë te ne në Republikën e Kosovës, ashtu ka ndodhur dhe ndodhë edhe më tej në Shqipëri. Sikurse edhe në lokalitete të shumta, qoftë më shumë apo më pak të urbanizuara në Kosovë, njëjtë edhe në Shqipëri, përfshirë edhe zonat industriale, apo ato të zhvilluara dhe shumë fitimprurese të turizmit, si Llixhet termale në Elbasan, ku mijëra qytetarë hallexhinj kërkojnë trajtim-kurim shëndetësor çdo stinë e çdo vit, shihen pamje të padëshiruara ambienti. Sa herë që kalon aty pari, shumë afër hoteleve bashkëkohore me llixhe, ndeshesh me pamje tmerrësisht të papranueshme, të pakëndshme jo vetëm për syrin, por edhe për shëndetin! Kontejnerët e stërmbushur dhe mbeturinat hedhur kudo, duken për gjynah, janë pa ndonjë kujdes institucional, dhe në mëshirën e qytetarëve që s’ respektojnë shtetin apo rregullat. Ç’ është edhe më keq dhe tepër e rrezikshme për shëndetin e njerëzve, ujërat e zezë, janë fare afër objejteve milionëshe hoteliere me llixhe shumë përfituese për pronarët, biznesmenët! Po aty në qendër para shumë objekteve hoteliere, janë lënë të veprojnë dhjetëra biznese të vogla, me objekte të montuara, edhe çajtore për dashamirët e çajit indian nga Kosova. Janë edhe të tjera “biznese” në tezga druri dhe të mbuluara me najllon që çorodisin krejt ambientin. E sot, 18 shtator, në zonën e turizmit hotelier, termal, u duk dhe veproi shteti shqiptar me mekaniznin e domosdoshëm. U desh të vepronim krahas inspektorëve të mbrojtjes së ambientit nga Bashkia e Elbasanit, pasi qytetarët-shitës e përfitues ilegalë të bizneseve të imëta, tekstili, veshmbathje, artizanale etj., nuk respektuan paralajmërimet dhe letër urdhëresat e shtetit, u dëgjua tek shprehej një nga policët e Njësisë që asistoi gjatë prishjes-rrënimit të objekteve e tezgave.
Pse vallë te ne shqiptarët në përgjithësi, duhet domosdoshmërisht të ndërhyjë edhe policia për të ekzekutuar vendimet e institucioneve? Shteti do respektuar, para se të aplikohet mekanizmi i forcës, i dhunës, sikurse që edhe shteti do të duhej të vepronte me standarde dhe kute të njëjta për të gjithë qytetarët, për të fuqishmit, e për të dobëtit, që mbase edhe e kanë të vështirë të mbajnë “carrokët, kalamajtë”!

Teksti e foto: Jusuf M. Bytyçi