Kurti: Beogradi synon ndarjen e Kosovës

05.04.2018 11:33:32

Kurti tha se prioritet i Kosovës duhet të jetë bashkimi i Mitrovicës e jo ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kurti këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) & Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan (BPRG), me temë “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai tha se janë gabim kritikat drejtuar më shumë Bashkimit Evropian (BE) dhe Brukselit,  pasi më shumë duhet kritikuar Serbinë.

Sipas tij, Kosova duhet të merret me qytetarët serb në Kosovë pasi siç tha ai nuk janë të gjithë serbët e njëjtë siç nuk janë edhe shqiptarët.

“Serbët vendas nuk janë të gjithë të njëjtë siç nuk janë edhe shqiptarët. Duhet të fillojmë bashkëbisedim me ta anembanë Kosovës”, tha Kurti.

Kurti po ashtu tha se Serbia dëshiron bosnjëzimin e Kosovës ashtu siç ka vepruar Millosheviqi me Bosnjën.

“Në Kosovë po kërkojnë ndarjen e Kosovës, që ta bosnjëzojnë sic bënë me Bosnjën…Prioritet i Kosovës duhet të jetë bashkimi i Mitrovicës…Nuk jam kundër ulëseve në OKB por bashkimin e Mitrovicës nuk mund ta krahasojmë me ulësen në OKB”, u shpreh tutje lideri i VV-së, Albin Kurti.