Kurti: Do të ndihmojmë fëmijët të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit

01.06.2021 20:42:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu bashkua thirrjes për raportim të dhunës tek fëmijët, në kuadër të fushatës “Bëhu mburoja ime’’ të lansuar sot nga Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS.

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, dhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në aktivitetin simbolik të organizuar nga HANDIKOS, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

“Sot e kemi 1 Qershorin – Ditën e fëmijëve dhe natyrisht se përderisa i kujtojmë me gëzim të gjithë fëmijët që shkojnë në shkollë apo në kopsht dhe edukohen, në të njëjtën kohë ndajmë dhembjen me të gjithë fëmijët që janë viktima të dhunës. Zotohemi që më së shumti e më së pari do të ndihmojmë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës, qoftë fizike ose psikike, dhe fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se së bashku me Presidenten, edhe kur kanë shkruar zotimet bashkë, edhe sot kur janë në krye të shtetit, në mendje dhe zemër, i kanë para se gjithash fëmijët e vendit tonë, që janë e ardhmja jonë.

“Konsiderata që kemi për fëmijët tregon se çfarë të ardhme do të ketë shteti e shoqëria jonë”, theksoi Kryeministri Kurti.

Krahas aktivitetit simbolik në Prishtinë, HANDIKOS, në kuadër të fushatës ‘’Bëhu mburoja ime’’, në sheshet e Ferizajt, Gjakovës e Mitrovicës sot vendosi instalacione – kukulla fëmijë, me thënie të fëmijëve që kanë përjetuar dhunë nëpër familjet e tyre, duke bërë thirrje që të ngritet sa më shumë vetëdija për raportimin e dhunës ndaj fëmijëve.