Kurti më në fund flet për aktakuzat e Speciales, u del në mbrojtje Thaçit e Veselit: Nuk kanë bërë krime lufte

15.11.2020 13:45:48

Fotoarkivi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar rreth aktakuzave të fundit që ka ngritur Gjykata Speciale.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më në fund ka folur rreth aktakuzave që Gjykata Speciale ka ngritur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për medie, Kurti tha, se janë për keqardhje pretendimet e Speciales se gjoja UÇK-ja paska qenë strukturë kriminale.

Sipas tij, Specialja është e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në.

“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal përbrenda, nuk qëndron… pra njëfarë strukture paralele brenda UÇK, thua se kemi pas edhe UÇK edhe ndërmarrje të përbashkët kriminale aty. Prokuroria e ka gabim, UÇK-ja nuk ka pasur ndërmarrje kriminale dhe as strukturë paralele siç po thotë prokuroria. Për të vërtetuar kjo prokurori se na paskan ekzistuar kjo strukturë paralele, ajo natyrisht se është dashur të thotë se ka pasur një strukturë paralele… sipas prokurorisë qëllimi nuk ishte i UÇK-së që ishte çlirimi, por që sipas kësaj gjykate qëllimi ka qenë të fitoj dhe ushtrojë kontrolle gjithandej Kosovës… po të thuhej se ndokush prej tyre ka pasur kontrollin në mars të vitit 2008 apo 2018 edhe mund të besohet por kurrsesi në mars të vitit 1998. Çlirimi ishte qëllimi e jo fitimi i kontrollit siç po pretendon gjykata….”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, të gjithë, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi u përfaqësuan nga avokatët më të mirë, por siç theksoi Kurti, është Qeveria e Kosovës ajo e cila duhet të angazhohet në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.

Por Kurti tha se këtë nuk mund ta bëj kjo qeveri, e cila siç theksoi ai, është jolegjitime.

“Shteti i Kosovës duhet ta organizojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë që i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti, UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë…Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit të mbrojtjes. Mbrojtja dhe bashkërendimi duhet sinkronizohen. Për fat të keq Kosova nuk ka qeveri që mund ta bëj këtë. Për fat të keq, kjo qeveria e paligjshme qysh në fillim ka qenë e tillë me votat e listës serbe”, theksoi Kurti.

Ai kërkoi bashkëpunim nga të gjithë në raport me përballjen kundër Serbisë. Sipas Kurtit, të gjithë duhet të bashkohen në përkrahje të luftës çlirimtare dhe kundër Serbisë.

“Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e pa penduar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Fjalimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje: 

Në javën që lamë pas, në Hagë, në atë që po e quajmë Gjykatë Speciale, u paraqitën dhe thanë fjalët e tyre hyrëse ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish-Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish drejtuesi i Shërbimit Inteligjent të UÇK-së, Kadri Veseli dhe ish Inspektori i Përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi.

Ne kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në këto shtatë vjetët e fundit dhe nuk ka nevojë të përsëritemi këtu. Kosova ka pasur vazhdimisht gjykata speciale, njëherë UNMIK-un e Tribunalin e Hagës, pastaj, EULEX-in, edhe prokuroria e gjykatat në Kosovë përgjithësisht kanë qenë bukur speciale me pasivitetin e tyre, por kjo gjykata e fundit tash, sërish më Hagë, sigurisht se është më specialja. Jo çmimin e lirisë, por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani.

Në njërën anë, UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës, ndërkaq, në anën tjetër, kjo Gjykatë e cila ju sipërvendos shtetit, me votat e 82 deputetëve u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës përmes amendamentimit të kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015. Sigurisht se është Gjykatë e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në si palë dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi.

Ngrehina e kësaj gjykate shkon kundër kujtesës sonë individuale e kolektive, kundër përvojës sonë njerëzore e politike. Në veçanti, sot, po ndalem në dy elemente të rëndësishme të aktakuzës kundër Krasniqit, Thaçit, Veselit e Selimit.

Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal përbrenda, me shprehjen që ia përcakton kjo prokurori si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Pra, njëfarë strukture paralele kriminale brenda UÇK-së, thua se kemi pasur edhe UÇK edhe NPK. Edhe Ushtri Çlirimtare të Kosovës edhe njëlloj Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale aty.

Prokuroria e ka gabim. Nuk ka pasur strukturë të tillë paralele kriminale. UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtoritë përkatëse, Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik, Adem Demaçi, Zonat Operative, brigadat e batalionet e njësitë etj. që i dimë të gjithë, e jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon prokuroria. Ky lajmi më i ri në Kosovë, për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së, nuk është i vërtetë.

Më tej, për ta vërtetuar kjo prokurori që paska ekzistuar kjo strukturë paralele të cilën e quan ndërmarrje e përbashkët kriminale, ajo natyrisht se është dashur të thotë se ka pasur një qëllim paralel. Insinuata për strukturën paralele nuk është e mundshme pa shpikjen e një qëllimi paralel. Prandaj, sipas prokurorisë, qëllimi nuk ishte më ai i UÇK-së e që është çlirimi i Kosovës, por qëllimi i kësaj ndërmarrjeje, i atij grupi, e i asaj strukture, na paska qenë të fitojë dhe ushtrojë kontroll gjithandej në Kosovë. Dhe, madje, kjo qysh nga marsi 1998.

Po të thuhej që ndokush prej këtyre ka pasur për qëllim kontrollin në mars të vitit 2008 apo në mars të vitit 2018 edhe mund të besohet, por kurrsesi në mars të vitit 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi, dhe jo fitimi e ushtrimi i kontrollit.

Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë.

Me fjalë të tjera, kjo është edhe punë qeverie, kjo është sidomos punë qeverie. Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen. Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë.

Kjo qeveri e paligjshme e cila që nga fillimi varej prej secilit deputet të Listës Serbe e që tash është veçse qeveri e pakicës që po tkurret përditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtojë as vetveten, se lëre më ndokënd tjetër. E keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimi i Task-Forcës kundër korrupsionit, e jo mbrojtja e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale. Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë e cila nuk na a njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë. Nuk kemi pse të bëjmë gabime të reja.