Kurti nuk ka informacione për vazhdimin e dialogut më 11 maj në Bruksel

26.04.2021 20:22:19

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë sot se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel. Por, nga kabineti i kryeministrit Kurti mohojnë të kenë ndonjë informatë për një takim të mundshëm me palën serbe më 11 maj në selinë e BE-së.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke iu referuar deklaratës së Josep Borrell, ka thënë se Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj.

Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve”, ka shkruar Kryeziu në Facebook, raporton Telegrafi.

“Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge”, ka thënë Kryeziu.

Më tej ai ka shtuar se “datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.

Këto komente ai i bëri të hënën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell shprehu bindjen se dialogu do të vazhdojë në muajin maj, me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

“Po bëjmë çmos për të vazhduar dialogun dhe shpresoj se më 11 maj një takim”, tha Borrell.

“Vlerësoj përkushtimin e presidentit Vuçiq për dialogun me Prishtinën për të arritur deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Pres arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, pa marrë parasysh vështirësitë”, u shpreh Borrell.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme për një dialog konstruktiv dhe shtoi se “do të punojmë për të përmirësuar atmosferën dhe të ndërtohet mjedisi për arritjen e marrëveshjes”.

“Nuk mundemi vetëm të vazhdojmë duke punuar dhe duke u takuar, por duhet të arrijmë një rezultat substancial”, theksoi Vuçiq.