Kurti nuk shkon në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi

09.03.2020 17:24:00

Kryeministri Albin Kurti nuk i ka shkuar sot në takim presidentit Hashim Thaçi, i cili gjatë ditës takoi disa nga liderët e partive politike në vend, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror.

Takimi i Thaçit me Kurtin i paraparë për në ora 13:00 nuk është mbajtur, pasi Kurti nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit.

As në agjendën e Kurtit për sot nuk ka figuruar takimi me Thaçin.

Ndryshe, nga orët e paradites presidenti ka takuar liderët e partive politike.

Ai deri tani ka takuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të PDK-së, Kadri Veseli si dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi në ora 13:45 do të takojë Fatmir Limajn, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i Nismës, ndërsa në 14:15 pret në takim Behgjet Pacollin, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i AKR-së.