Kurti takon ambasadorin francez, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

25.07.2018 12:44:40

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe zyrtarja nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, sot pritën në takim ambasadorin francez në Prishtinë, Didier Chabert, Camille Grémont, zyrtare e misionit, dhe Nexhmi Musliun, zyrtar i shtypit në ambasadë.

Sipas një njoftimi të VV-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend me theks të veçantë mbi dialogun Kosovë-Serbi.

Siç thuhet më tej, “kryetari Kurti shpjegoi edhe njëherë qëndrimin e Lëvizjes karshi dialogut të filluar nga presidenti i Kosovës pa mandat nga Kuvendi i Republikës”.

“Ne duhet që fillimisht ta shqyrtojmë dialogun gjashtëvjeçar paraprak që ta dimë se çka u bë dhe ku jemi. Pastaj, të përgatitemi mirë: të formulojmë bashkërisht në Kuvend qëllimet tona dhe kërkesat ndaj Serbisë, dhe, të merremi vesh për parimet dhe kornizën e dialogut të ri. Ndërkaq, ekipi negociator me strategji e udhëheqës të vetin vjen vetëm më pas”, citohet të ketë thënë Kurti, duke theksuar se “çdo dialog e marrëveshje matet në Mitrovicë”.