Kush fiton PS apo opozita? Flet analisti Afrim Krasniqi: Rezultatet janë interesante!

26.04.2021 15:53:19

Analisti Afrim Krasniqi deklaroi se nga këto zgjedhje kanë fituar të dyja palët, mazhoranca dhe opozita e bashkuar.

“Rezultatet janë interesante. Ne e kishim parashikuar që Partia Socialiste do të ishte e para në proporcional dhe që opozita do të ishte shumicë në vota. Politikisht, të dyja palët kanë fituar. Partia Socialiste është e lumtur se ka dalë parti e parë, por edhe opozita e bashkuar, PD e LSI, që kanë një kontratë së bashku. Tani, çështja është sa do të përkthehen në mandate sepse përkthimi varet me pragje zgjedhore dhe me situata nga qarku në qark”, deklaroi Krasniqi në A2 .

“Tani, politikanët duhet t’i japin fund konferencave të shtypit. Nuk ka nevojë as për thirrje, as për duartrokitje dhe as për të thënë “fitore” sepse nuk kanë fituar gjë. Të presin rezultatet. Plus që kësaj radhe do të hapen kutitë e votimit me procesverbalet, do të numërohen votat për partitë e pastaj do të mbyllen prapë kutitë e votimit me gjithë procesverbale, për t’u hapur dhe një herë për numërimin e votave për kandidatët. Është një proces teknik që na merr shumë kohë”, shtoi Krasniqi