Kush janë shqiptarët e rrezikshëm që kanë terrorizuar Greqinë dhe fshihen në Shqipëri?

13.04.2017 16:10:59

Mediat greke vazhdojnë të publikojnë foto nga grabitjet e bandës së shqiptarëve që kanë terrorizuar banorët grekë gjatë vitit të kaluar. Banda e përbërë nga 4 shqiptarë grabiste me forcë shtëpitë e biznesmenëve, këngëtarëve e VIP-ave të tjerë në Greqi. Për një vit, shqiptarët kanë bërë grabitje me vlerë 1 milionë Euro në Greqi.

Fotot e mëposhtme janë të tjera pamje nga kamerat e sigurisë së shtëpisë së një biznesmeni grek. Shikoni se si shqiptarët të maskuar dhe të armatosur kërkojnë për para, bizhuteri dhe sende me vlerë.

Autoritetet thonë se në shtëpinë e biznesmenit banda e shqiptarëve vodhi 30 mijë Euro cash, bizhuteri, 30 palë këpucë të shtrenjta të bashkëshortes së tij si dhe sende të tjera personale.

Në fillim të kësaj jave, policia greke arrestoi një 22-vjeçar shqiptar që ishte pjesë e bandës së grabitësve. Hetuesit sqarojnë gjithashtu se janë identifikuar edhe 3 bashkëpunëtorët e tjerë të tij. Ata konsiderohen tepër të rrezikshëm dhe janë shpallur në kërkim. Autoritetet greke bëjnë me dije se 3 shqiptarët ndodhen në Shqipëri dhe kanë njoftuar policinë shqiptare. Nuk bëhet me dije identiteti i tyre.

Mediat fqinje raportojnë se gjatë ditëve në vijim ata mund të shpallen në kërkim ndërkombëtar. Tre shqiptarët e rrezikshëm akuzohen për grabitje me dhunë dhe tentativë vrasje ndaj policisë. Në disa raste, banda e tyre ka qëlluar me armë zjarri ndaj policisë greke.