Thaçi: Suksesi i FSK-së dëshmon se Kosova është gati për ushtri

Thaçi: Suksesi i FSK-së dëshmon se Kosova është gati për ushtri

13.04.2017 16:14:05

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se suksesi ndërkombëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dëshmon se Kosova është gati për themelimin ushtrisë se vet multietnike, e cila sipas tij, do të mbrojë integritetin territorial të vendit dhe do t’i kontribuojë paqes globale me pjesëmarrjen e saj në misione paqeruajtëse.

Kështu ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook, pas diplomimit të dy oficerëve të FSK-së në Londër, Xhevahir Hasanaj dhe Arlind Bajrami. Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë ushtarake “Parada e Sovranit” që u mbajt në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst” në Britani të Madhe.

“Krenar me oficerët e FSK-së, Xhevahir Hasanaj dhe Arlind Bajrami, të cilët diplomuan sot në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani të Madhe. Oficeri, Xhevahir Hasanaj u dekorua sot si kadeti më i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike, derisa medaljen ia dorëzoi kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May”, shkruan Thaçi.