Kushtetuta, busulla e rrugëtimit të Kosovës drejt vlerave perëndimore, integrimeve evropiane dhe lirive universale

07.04.2017 21:25:37

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e Ditës së Kushtetutës, në 9 vjetorin e miratimit të saj.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa e ka quajtur ditë shumë të rëndësishme për shtetndërtimin dhe demokracinë institucionale të Kosovës, miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila i vuri themelet e shtetit 9 vjet më parë.

“Para nëntë vitesh miratimi i Kushtetutës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit tonë, ka qenë një arritje kulmore krejt e veçantë dhe shumë e rëndësishme e një rruge të gjatë dhe me plotë përkushtim të të gjitha gjeneratave për liri dhe pavarësi. Kushtetuta e Kosovës është kurorë juridike dhe politike e shtetit tonë. Ajo është fitore historike dhe juridike e cila e justifikon në aspektin demokratik dhe liridashës, vullnetin e qytetarëve tanë për shtet të pavarur për demokraci dhe liri”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se tashmë është dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se Kushtetuta e Kosovës me dispozitat e saj, siguron dhe begaton jetën dhe punën institucionale, pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, të cilat si njësi të përbashkëta, e bëjnë Kosovën vend demokratik, të orientuar drejt dhe përmbajtësisht kah bota perëndimore dhe vlerat e dëshmuara universale.

“Kushtetuta e Kosovës është Kushtetutë e cila garanton në formën më të mirë dhe më bashkëkohore të mundshme, por edhe zhvillon në mënyrën më reale dhe më progresiste, mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, përkatësisht të të gjithë qytetarëve tanë, gjithmonë pa kurrfarë dallimi. Prandaj, konsideroj se ky është rast i mirë, të falënderoj por edhe inkurajoj bartësit e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, pjesëtarët e policisë, bashkëpunëtorët ligjorë, avokatët, noterët, ndërmjetësuesit, përmbaruesit privatë, Ministrinë e Drejtësisë, njëkohësisht edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë, që me punën e tyre dhe përkushtimin, po e bëjnë mbrojtjen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë tonë”, tha kryeministri.

Nëntë vite pas miratimit të Kushtetutës, kryeministri Mustafa tha se mund të konstatohet me bindje të fortë se Kushtetuta e Kosovës ka qenë dhe mbetet bazë e fortë dhe e dëshmuar për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe shtetndërtimit në Kosovë.

“Kushtetuta e Kosovës kështu mbetet një busull juridiko dhe politike e rrugëtimit tonë drejtë vlerave perëndimore, drejtë integrimeve evropiane dhe lirive universale. Me këtë Kushtetutë ne kemi arrit që të zhvillojmë të gjithë sektorët tanë, të gjitha fushat tona, të sigurojmë edhe zhvillimin ekonomik, që sot është më i larti në regjion, të cilën gjë e vërteton edhe Banka Botërore, të sigurojmë që shteti jonë të ketë stabilitet makroekonomik dhe stabilitet buxhetor, rregullsi financiare, por të sigurojmë po ashtu që vendi ynë të shpallet si vendi me Qeverisjen më të mirë në ofrimin e të drejtave për të bërë biznes, në suaza ndërkombëtare. Prandaj, janë këto vlera që ne i çmojmë, vlera të cilat po i realizojmë në suaza të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Është një rend juridik të cilin ne po e zhvillojmë, dhe për të cilin duhet të krenohemi, dhe po ashtu të falënderojmë të gjithë ata që po punojnë me përkushtim të plotë për të”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar përvjetorin e nëntë të miratimit të Kushtetutës dhe duke shprehur përkushtimin e Qeverisë që të zbatoj me përpikëri çdo shkronjë të kësaj Kushtetute.

Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës dhe të ftuar të tjerë.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës