Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Rom.
Pas konferencës, kryeministri Mustafa ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesit e komunitetit rom të Kosovës, të prirë nga deputeti Kujtim Paçaku.
Pas bisedave, përfaqësuesit e komunitetit rom i kanë akorduar kryeministrit Isa Mustafa një mirënjohje për përkrahjen e dhënë për këtë komunitet.
Ndërkaq, para të pranishmëve në konferencën ceremoniale, kryeministri Mustafa tha se kjo festë është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi shprehet bashkëjetesa mes komuniteteve. “Ne kështu po respektojmë vlerat tona multietnike të cilat po i ndërtojmë dhe urojmë që edhe më tutje t’i thellojmë si vlera të përbashkëta që e bëjnë Kosovën më demokratike, më të fortë dhe më evropiane. I gëzohem po ashtu faktit që ne sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kemi përfaqësues legjitim të romëve, siç kemi edhe zëvendësministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Po ashtu, më gëzon fakti se ata me përkushtimin më të madh i mbrojnë interesat e komunitetit rom por jo vetëm të këtij komuniteti, por i mbrojnë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarëve tanë”, tha kryeministri.
Pavarësisht sfidave në të kaluarën, kryeministri Mustafa vlerësoi se komunitetet në Kosovë bashkërisht kanë ndarë të mirën dhe të keqen dhe se tash punojnë për të ardhmen e përbashkët.
Kjo e ardhme, sipas kryeministrit, do të jetë në Kosovën e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Ne, si Qeveri, do të vazhdojmë të mbështesim komunitetin rom në Kosovë. Jemi koshient se kemi nevojë edhe më shumë të mbështesim nevojat arsimore të këtij komuniteti, nevojat në punësim, ato të kulturës, ato që ndërlidhen me identitetin, për çka unë sot shpreh përkushtim të veçantë të Qeverisë dhe do të mundohemi që bashkërisht të punojmë sepse janë çështje të cilat nuk mund të punohen ndaras. Gjithashtu, do të punojmë edhe në thellimin e përpjekjeve tona për të siguruar që romët të gëzojnë qasje më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse në çështjet e banimit, në çështjen e punësimit dhe në çështjet e përkujdesjes shëndetësore të cilat mendoj se duhet të veçohen”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, i informoi të pranishmit edhe për aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë, të Strategjisë për përfshirjen e komunitetit rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare, për periudhën 2017-2021, qëllimi i të cilës është promovimi dhe sigurimi i realizimit efektiv i të drejtave të komunitetit rom dhe ashkali, në veçanti qasja në arsim, punësim, shërbime shëndetësore, banim dhe në të gjitha aspektet e jetës ekonomike dhe sociale në Kosovë.
“Procesi i hartimit të kësaj strategjie ka qenë i ndërlidhur me bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, të nivelit qendror dhe lokal, dhe po ashtu me një bashkëpunim shumë të madh me përfaqësitë e organizatave ndërkombëtare që janë këtu në Kosovë, qoftë përfaqësi diplomatike ose të shoqërisë civile dhe organizata tjera që kanë kontribuar që kjo të arrihet dhe të jetë në përputhje të plotë me kornizën e Bashkimit Evropian për Strategjitë Kombëtare të Integrimit të Romëve deri në vitin 2020”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, kërkoi që të punohet bashkërisht në realizimin e synimeve të përbashkëta, e që janë integrimi evropian dhe euroatlantik, si e vetmja rrugë për të qenë pjesë e vlerave qytetëruese evropiane dhe botërore.
Punën e Qeverisë e vlerësoi edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, që kërkoi të punohet edhe më tutje kundër stigmatizimit të romëve, por edhe kundër racizmit në përgjithësi.
“Qeveria e Kosovës tashmë ka udhëhequr shumë përpjekje të dobishme për të përmirësuar përditshmërinë e popullit rom, dhe shpresoj se do të shfrytëzoni mundësitë përmes mbrojtjes ligjore, për të krijuar të ardhme më të mirë përmes pjesëmarrjes konstruktive në institucione. Të gjithë besojmë në mundësi të barabarta për arsim, kujdes shëndetësor dhe punësim dhe janë këto të drejta universale për të gjitha komunitetet”, tha ambasadori Delawie.
Miratimin e Strategjisë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 dhe Planin e Veprimit, Ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, e ka quajtur hap të duhur në përmirësimin e jetës së romëve, sidomos fëmijëve që në moshë të re detyrohen të bëjnë punë fizike për të mbajtur familjet. Një lajm tjetër i mirë, sipas Ambasadorit Braathu, është kuota për studentët nga komunitet, i vendosur për herë të parë vitin e kaluar nga Ministria e Arsimit. Sipas tij, kjo është forma e duhur për të bërë ndryshime.
“Arsimi është çelës në hapjen e potencialit të individëve nga komuniteti rom dhe komunitetet tjera. Kërkoj nga Qeveria e Republikës së Komunës dhe nga komunat, por edhe nga komuniteti i donatorëve, të mbështesin pjesëmarrjen e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, në gjithë procesin e arsimit në Kosovë. Ky është çelës për ndryshim”, tha Braathu.
Regjistrimi i 35 studentëve në Universitetin e Prizrenit, është lajm i mirë edhe për deputetin nga ky komunitet, shkrimtarin Kujtim Paçaku. Ai kërkoi respektimin e Kushtetutës, në bazë të të cilës të gjitha komunitetet kanë të drejta të barabarta.
“Tani të tregojmë fuqi, që ky shtet i ri i Kosovës të jetë shembull për shtete tjera të regjionit, sepse ky shtet, unë e kuptoj, i ka vetëm 9 vite”, tha Paçaku.
Ulrike Lunaçak, raportuese e Kosovës në Parlamentin Evropian, ka përshëndetur këtë ngjarje, përmes një video, ku ka kërkuar që të vazhdohet më tej me përpjekje për të përmirësuar jetën e romëve dhe egjiptianëve.
“Ne kërkojmë që diskriminimit t’i jepet fund. Kjo gjë kërkon kampanjë, kërkon deklarime publike në emër të komunitetit rom. Por po ashtu edhe fuqizim të anëtarëve të këtij komuniteti”, tha Lunacek në mesazhin e saj.
Jollxhi Shala, kryetar i subjektit politik rom “Kosovaki Nevi Romani Partia”, theksoi rëndësinë që krahas arsimit, të punohet edhe në përmirësimin e punësimit. “Të gjitha problemet, reflektohen negativisht tek sistemi arsimor, pasi papunësia e prindit bënë që fëmija të ketë vështirësi të madhe për t’u integruar në proceset edukativo-arsimore, edhe pse librat i ka falas”, theksoi Shala.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe Anil Mishtra, shef i zyrës ekonomike indo-kosovare, përfaqësues të dikastereve qeveritare dhe të shoqërisë civile dhe komunitetit rom.










































