Kuvendi distancohet ndaj deklaratave të Nasim Haradinajt për vrasjet në LDK

22.12.2017 15:14:07

Kuvendi i Kosovës është distancuar ndaj deklaratave të përfaqësuesit të OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj, lidhur me vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit në Seancën Plenare, të mbajtur me 22.12.2017 me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së nxjerr këtë deklaratë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon gjuhën fyese dhe të urrejtjes të përdorur nga përfaqësuesi i OVL të UÇK-së për vrasjet politike të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet e drejtësisë që urgjentisht të ndërmerren të gjitha masat adekuate që rastet e vrasjeve politike të veprimtarëve të LDK-së, të trajtohen me seriozitet, profesionalizëm dhe paanshmëri, dhe të marrin dënimin e merituar.

Vetëm zbulimi i vrasjeve politike dhe i të gjitha krimeve të tjera të pandriçuara garanton zhvillimin e Kosovës si shtet ku sundon ligji dhe e drejta dhe ku të gjithë qytetarët, pa dallim, ndjehen të sigurte”, thuhet në njoftim.