Sfarqa: PDK nuk është në pozitë më të favorshme se LDK (Video)

25.10.2016 22:44:20

Muharrem Sfarqa, anëtar i kryesisë së LDK-së në emisionin Infobox të RTV Dukagjinit ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në komunikimet e tij me masën po tejkalon kompetencat që ka, dhe këto po i bënë ngase Veseli sipas tij nuk po i di kompetencat që i takojnë.

“Unë vërej një tejkalim të kompetencave nga kryeparlamentari në raport me punën dhe detyrat, për çka është i zgjedhur. Por, më tepër unë e shoh këtë si një përpjekje për të mobilizuar në një rast futbollistët me premtimin që u dha. Ai ka një tejkalim, por në kuptimin simbolik ndoshta mund t’i falet për shkak të mos njohjes së kompetencave të veta dhe të qeverisë”.

Sa i përket paralajmërimit të Veselit për prishje të koalicionit dhe mundësinë e shkuarjes se vendit në zgjedhje, Sfarqa ka thënë se kjo nuk i konvenon asnjë subjekti politik, aq më pak PDK-së, së cilës i mungon lideri i dikurshëm që tani është President i vendit.

“PDK nuk është në pozitë më të favorshme se LDK, Presidenti ushtron funksionin e vet, dhe në kuadër të zgjedhjeve PDK shkon me një lider të ri, një lider të munguar, sepse një parti nuk e ka komoditetin e futjes në zgjedhje me humbjen e një lideri të një periudhe 17 vjeçare, dhe me një lider, i cili tani akoma është në formim të identitetit të tij”.

Muharrem Sfarqa në Infobox ka thënë se ky koalicion mund ta quaj sukses rritjen e buxhetit që në vitin 2017 do të shkojë në dy miliardë, gjithashtu edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/