Zbulohet tuneli 500 metra i gjatë në kufirin mes Meksikës dhe SHBA

25.10.2016 22:52:07

Një tunel i pajisur me ventilim dhe me ndriçim që kalonte nga qyteti Tijuana drejt Shteteve të Bashkuara është zbuluar sot nga autoritetet meksikane.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm nuk sqaroi nëse tuneli i gjatë mbi 500 metra ka arritur deri në tokën e SHBA-së.

Tuneli, i cili është i pajisur me shina për të shtyrë vagonët me drogë, ka gjerësi rreth 2 metra dhe afro 3 metra i lartë dhe ishte i ndërtuar 7 metra nën tokë.

Prokurorët kanë gjetur 2 tonë marijuanë të paketuar në shtëpinë ku fillonte tuneli që ndodhej në pjesën e Meksikës, njofton AP.

Policia Federale, tha të hënën, se ka zbuluar edhe afro 2 kilogramë të metamfetaminës të fshehur në një rrotë të djathit në një objekt për shpërndarjen e paketave në Mexico City.

Policia federale tha se gjatë një inspektimi me rreze X të djathit ka zbuluar paketën e fshehur.

Në një tjetër kërkim, policia federale në shtetin Jalisco, përdori qentë nuhatës për të zbuluar mbi 15 kilogramë heroinë të fshehur në një tjetër paketë, në një shërbim të shpërndarjes së shpejtë. Varësisht nga prerja, heroina mund të furnizonte prej 150 mijë deri në 1.5 milionë dozë një gramëshe.