Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën e ndërprerë më 11 prill

Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën e ndërprerë më 11 prill

18.04.2017 06:25:40

Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon sot seancën e ndërprerë më 11 prill, me votimin dhe shqyrtimin e pikave të mbetura, me disa plotësime.

Në ketë seancë Kuvendi pritet të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Propozim-rezolutën në lidhje me arrestimet e aktivistëve  të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe të shqyrtojë për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Më pas, deputetët do të shqyrtojnë Propozim – Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017 dhe të zgjedhin një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.

Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga pjesët veriore të Kosovës, ndërsa është paraparë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe i atij për automjete.

Seanca do të vazhdojë më shqyrtimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për periudhën 2017-2021 dhe shqyrtimin e Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Propozim-vendimin nr. 20/2017, t datës 10 mars 2017, të Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Në fund, do të shqyrtohen edhe raportet e dy komisioneve parlamentare:  Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, si dhe raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini e Sport lidhur me Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë.