Kuvendi po shqyrton Programin e punës për vitin 2018

23.03.2018 11:28:29

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, tha se programi i punës për vitin 2018 paraqet një dokument bazë për aktivitetin e Kuvendit të Kosovës si organ ligjvënës, mbikëqyrës, zgjedhor dhe përfaqësues.

Ai tha se Kuvendi ka ngecur me miratimin e ligjeve.

“Ajo që dua ta them unë është se ne kemi ngelë shumë mbrapa me miratimin e ligjeve dhe në qoftë se dhjetë ditshi i ardhëm nuk i përkushtohemi kryerjes së detyrave tona, s’po them se opinioni dhe elektorati i të gjitha partive di të na gjykojë, por them se raporti i progresit i Komisionit Evropian që do të shpërndahet shumë shpejt, Kuvendin e Kosovës do ta qet shumë keq sa i përket këtij aspekti”, tha Haliti.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se vonesa legjislative ka ndodhur për shkak se agjendës së Kuvendit i është mbivendosur tema e demarkacionit, transmeton KP.

“Sa herë kemi thirrur mbledhje të Komisionit për Legjislacion për t’i diskutuar projektligjet që na janë proceduar nga MD-ja, por edhe ato që janë nismë e Komisionit, në vazhdimësi jemi detyruar që ta shtyjmë mbledhjen e Komisionit pikërisht për shkak se mbivendosej demarkacioni dhe anuloheshin agjendat tjera të komisioneve parlamentare. Tjetra është që sipas rregullores seancat e Kuvendit janë çdo të enjte dhe ditët tjera janë të rezervuara për komisionet parlamentare. Ka kohë që Kuvendi nuk ka funksionuar normal dhe natyrisht që për këtë e ka kryetari i Kuvendit sepse ai e thërret kryesinë e Kuvendit dhe pastaj Kryesia e cakton rendin e ditës. Pra do duhej të jemi përgjegjës karshi Kuvendit dhe seancat të mbaheshin me rregull në mënyrë që mos të ngarkohemi me pika të rendit të ditës, nga 30 për një seancë që nuk po mund t’i kryejmë asnjëherë”, theksoi ajo.

Haxhiu tha se vetëm Komisioni që ajo drejton, ka në procedurë 15 projektligje, plus dy nisma të komisionit, siç është projekt Rregullorja e Kuvendit.