Ky është atentati ndaj ish presidentit Rugova, zbardhjen e të cilit e kërkoi presidenti Thaçi (Video)

10.10.2016 21:21:25

Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova ishte shumë herë cak i atentateve të shumta që bëheshin ndaj tij.

Një nga sulmet ishte edhe ai ndodhur në mars të vitit 2004, në momentin kur ai po shkonte drejt Presidencës së Kosovës nga rezidenca e tij në Velani, dhe pritej të takohej me sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Havier Solanën.

Presidenti Rugova i mbijetoi edhe këtij sulmi, por Agim Hoti pretendon se është autor i dy tentim atentateve ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova, transmeton lajmi.net.

Nga burgu i Dubravës, Hoti disa herë ka thënë se ata që bënë pazar me të për të vrarë janë Xhavit Haliti, Artan Nimani e Agron Haradinaj.

Këto akuza asnjëherë nuk janë vërtetuar, pasi që deklaratat e Hotit kanë kontroverse dhe të pabesueshme.

Personat e përmendur nga ai për përgatitje dhe financim të atentatit, i kanë hedhur poshtë akuzat.

Ndërsa sot, presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një letre dërguar Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar hetim të thellë për të gjetur ata që kryen dhe financuan sulmin ndaj presidentit Ibrahim Rugova.

Është hera e parë që një kre i shtetit kërkon publikisht që të zbardhet atentati ndaj Rugovës dhe të tjerëve.