Lajm i mirë: Shërohen edhe tre pacientë nga koronavirusi, sot lirohen për në shtëpi

15.04.2020 12:18:07

Një lajm i mirë është dhënë sot nga Klinika Infektive në Kosovë.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajazaj Berisha, para mediave ka thënë se sot për në shtëpi lirohen edhe tre pacientë.

Ajo ka thënë se të njëjtit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë shëruar nga koronavirusi.

Berisha po ashtu foli edhe për testimet që bëhen në stafin e Klinikës që ajo udhëheq, teksa tha se të njëjtat realizohen vetëm kur ka indikacione për koronavirus.

“Në Infektive ne i pranojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për ndihmë mjekësore pavarësisht nacionalitetit. Ne jemi në shërbim në shërbim të të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë. Testimet e stafit të Infektives bëhen vetëm në rastet kur kemi indikacione për me e punu testin. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm. Në disa raste ka edhe mundësi të marrjes së infeksionit dhe nuk e përjashtojmë që dikush nga stafi jonë mund të jetë pozitiv”, tha Berisha.

Tutje, drejtoresha e Klinikës Infektive foli edhe për komplikimet që mund të paraqiten nëse një person i infektuar ka edhe sëmnudje tjera shoqëruese.

“Cdo person që ka sëmundje shoqëruese, edhe një infeksion mund ta përkeqësojë gjendjen e tij. Krahas diagnozës COVID-19 mund të ketë edhe diagnoza tjera, dhe në rastet më të këqija sigurisht që mund të ketë përfundim fatal. Kemi numër më të madh të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikë”, tha ajo para mediave.