Lajmi i fundit: Vetëvendosje thirr protestë për nesër në ora 10

03.08.2016 22:06:34

Në konferencën e jashtëzakonshme të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca dhe Dardan Sejdiu.

 

Ata të dy kanë thirrur për nesër në orë 10 protestë para Kuvendit të Kosovës, siç kanë thënë ata, për ta ndalur demarkacionin, transmeton lajmi.net.

“Debati po vazhdon dhe të gjithë ju po i shikoni debatet mes deputetëve dhe ekspertëve dhe po shihet në çfarë baze është vendosur vija kufitare me Malin e Zi. Është vijë kufitare e gabuar dhe që na ka sjellë rezultat të gabuar”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, fakti tjetër që është përmendur në debat ka të bëjë me kriteret që i ka vendosur Mali i Zi e jo Kosova.

“Shpejtim Bulliqi ka ofruar fakte që grupi i ekspertëve të Kosovës që ka falsifikuar fakte dhe që aspak nuk është në rregull. Faktikisht është vepër penale”, ka thënë tutje Konjufca.

Sipas tij, të gjitha hartat tregojnë se kufiri është në Çakorr.

E ai që ka bërë thirrje për protestën e nesërme ka qenë Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

“A mbrojmë Republikën e Kosovës nesër. Të dalim para Kuvendit të gjithë në ora 10 dhe t’i tregojmë qeverisë se qytetarët nuk e japin tokën e tyre. Ne nuk do të lejojmë demarkacionin”, ka thënë Sejdiu.