Lauka: Çështjen e Kosovës Putin e bën që ta mbajë Serbinë nën sqetull

06.02.2017 22:19:33

Islam Lauka,  njohës i politikës ruse dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ka thënë se çështja e Kosovës për Rusinë nuk ka asnjë vlerë.

“Çështjen e Kosovës, Vladimir Putin e bën për ta mbajtur Serbinë nën sqetullën e vet dhe për ta përdorur si kartë presioni. Në njohjen e Krimesë nga Amerika dhe të Kosovës nga Rusia e mbrojnë pikëpamjen që nuk mund të ndodhë kjo. Kjo pasi Krimeja nuk është interes jetik i Rusisë”, pohon Lauka.

Lauka në “Zona B” të Klan Kosova ka thënë se Krimeja është rast i aneksimit me dhunë e marrjes së territorit të një shteti.

“Putini ka çështje më të nxehta që mund t’i fusë në ujdinë me Trumpin si afrimi i strukturave të NATO-s, problemi i Ukrainës, njohja e sferës së ndikimit rus në hapësirën ish-sovjetike. Në Serbi këto janë më shumë si makth si frikë që Putin dhe Trump mund të sakrifikojnë Serbinë. Qëndrimi i Rusisë dhe Putinit është i drejtuar kundër Perëndimit, Amerikës, BE-së”, tha ai.

Gjithë lufta e Putinit është kundër dyfytyrësisë perëndimore në Kosovë, sipas Laukës.

“Putin thotë se në Krime ka pasur shprehje të vullnetit të popullit kurse në Kosovë nuk ka pasur”, pohon ai më tej.

“E dyta qëllimi rus ndaj Kosovës ka qenë dhe mbetet përherë anti dhe është mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Rusisë, me argumente që pavarësia e Kosovës është e paligjshme dhe shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Dhe sot thonë që ne nuk e njohim Kosovën por do ju mbështesim në luftën e juaj territoriale”, përfundon Lauka