Interpol: Kosova nuk ka lëshuar asnjë fletarrest për serbët e dyshuar për...

Interpol: Kosova nuk ka lëshuar asnjë fletarrest për serbët e dyshuar për krime lufte

06.02.2017 22:11:29

Mos njohja e shtetësisë së Kosovës nga disa vende anëtare të OKB-së, ka penguar vendin tonë që të jetë me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare të INTERPOL-it.

Por, kjo nuk e ka privuar atë, që të ketë të drejtë që të lëshoj fletë arreste në INTERPOL përmes EULEX-it, për personat e dyshuar apo pjesëtarët e ushtrisë e policisë serbe, të cilët kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndonëse Serbia ka paraqitur me qindra fletarreste ndaj kosovarëve në INTERPOL, që nga paslufta shteti i Kosovës nuk e ka dërguar as edhe një kërkese të vetme për ndalesë të ndonjë pjesëtari të ushtrisë serbe për krime lufte në Kosovë.

Kjo e drejtë e paraqitjes së fletarresteve në INTERPOL, Kosovës i është mundësuar përmes EULEX-it, si urë lidhëse deri në momentin kur pranohet me të drejta të plota në OKB.

Zyra e INTERPOL, në një përgjigje për Indeksonline, ka thënë se nuk posedon ndonjë dokument apo kërkesë të tillë nga institucionet e Qeverisë së Kosovës.

Sanam Dolatshahi, nga zyra e INTERPOL-it, që është në kuadër të UNMIK-ut në Kosovë ka thënë se për informacione më të hollësishme në lidhje me këtë çështje duhet t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë, pasi që kjo zyre nuk ka ndonjë të dhënë për këtë çështje.

Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë se Drejtësisë kanë zgjedhur të mos deklarohen fare në lidhje me këtë teme.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, figurojnë 11, 840 persona që kanë humbur jetën në luftën e vitit 1998-99, të vrarë nga forcat ushtarake-policore serbe.

Edhe pse ekzistojnë dëshmi të gjalla persona që i kanë shpëtuar masakrave të ndryshme, Qeveria e Kosovës nuk ka kërkuar që zinxhiri komandues i ushtrisë serbe të ndiqen për këto vepra në mënyrë ndërkombëtare përmes INTERPOL-it