Një ikje… dhe soc-realizmi

Alda Bardhyli

Ka diçka të përbashkët që përmbledh kujtimet e gjithë atyre që patën fatin të kalonin orë bisedash me Dritëro Agollin. Është një cigare që digjet gjithnjë në duart që dikur përshkroheshin nga një dridhërimë e lehtë, që do të bëhej më e fortë me kalimin e viteve… Librat e shpërndarë kudo në tavolinën e rrumbullakët të drunjtë të familjes Agolli, dhe gotat e vogla të rakisë.

Qelqe të vogla tipike të prodhimit të fabrikave të ish komunizmit. Kjo tablo do përshkojë shpesh kujtesën e atyre që mundën ta vizitonin në apartamentin, dera e së cilit ishte gjithnjë e hapur për njerëzit e librit.
Ndarja nga jeta e Dritëro Agolli, është një ngjarje e trishtë për letrat shqipe. Djaloshi nga Devolli do të hynte në letërsi në vitin 1958-të me vëllimin poetik “Në rrugë dolla”, për tu kthyer në dekadat që do të pasonin, një nga protagonistët më të rëndësishëm të saj. I dashur për masat, i quajtur shpesh dhe si poeti popullor, ai diti të përshkojë tisin e hollë të dëshirave dhe të njerëzve që në jetën e tyre nuk kishin prekur asnjëherë me dorë një libër. Në soc-realizëm ai quhej “poet i popullit”, dhe pas rënies së komunizmit duket se ky krahasim i mbeti në lëkurë duke i shkuar aq shumë.

Trishtimi që pushtoi mijëra njerëz në të gjithë vendin për ikjen e tij e tregon këtë. Me angazhime të rëndësishme në fushën e kulturës gjatë komunizmit, duke qenë për disa vite dhe kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ai është ndër të paktët shkrimtarë që pas viteve 90-të, nuk u godit nga akuzat për shërbim ndaj regjimit, dhe ndër të parët që kërkoi falje publikisht për “gabimet” që mund të kishte bërë. Duke bërë një vështrim në këto vite, shohim se frika, hidhërimi dhe jeta e mjeruar nën diktaturën e socializmit janë zbehur në kujtesën e njerëzve. Agolli nuk na lejon të harrojmë lehtësisht. Veprat e tij ruajnë kujtimet e jetës së zymtë në Shqipërinë e vogël staliniste. Shoku Zylo do të na e kujtojë gjithnjë këtë, po kështu gazetari (personazhi i pjesës më të madhe të tregimeve të tij tek “Zhurmat e erërave të dikurshme”, do të na kujtojë gjithnjë jetën e vërtetë të Shqipërisë komuniste, atje në shtëpitë e ngritura në ara.

Femrat që ai takoi, do jenë gjithnjë dëshmia lakuriqe e një sistemi. Me një jetë të kaluar në një kohë të tillë, emri i Agollit do të jetë gjithnjë i përshkruar nga kontraditat që vetë historia e letërsisë së shkruar në socializëm mbart. Mund të ngrihen dyshime për vlerat e tyre, si vepra të shkruara nën trysninë e një ideologjie të dështuar. Pyetja që mund të shtrohet; do ketë të bëjë gjithnjë me bashkëkohësinë e tyre, se sa mund ti flasin këta personazhe të veshur thjesht lexuesit sot? Mjafton të lexosh tregimin “Sonata e tetë” për të kuptuar se Agolli e ka fituar me kohë betejën me komunizmin, dhe veprat që la pas e kanë sfiduar më së miri atë. E ka sfiduar pikërisht me personazhet ku ai sistem nuk mund të dyshonte, siç është çobani, që Bethhoveni i kujtoi ikjen pakthim të së shoqes.