LDK Dega në Obiliq shënoi 28 vjetorin e themelimit

24.03.2018 20:25:13

Sot janë shënuar plotë 28 vjet punë, mund, kontribut e sakrificë të LDK-së në degën e Obiliqt.

Me këtë rast kryetari i degës z. Mehmet Krasniqi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që gjatë gjithë këtyre viteve pa frikë e me shumë guxim punuan për zhvillimin e vendit. Poashtu në këtë 28 vjetor kryetari i degës së LDK-së në Obiliq, z. Krasniqi kujtoj të gjithë ata që vepruan dhe punuan për LDK-në dhe Komunën e Obiliqit.

Krasniqi tha: “ Obiliqi do të njoh dhe respektoj vazhdimisht kontributin e armatës së tërë, të aktivistëve të LDK-së deri më sot, të atyre që u sakrifikuan dhe nuk janë më me në dhe të gjithë atyre që sot janë në front të betejës për realizimin e ëndrrës së gjeneratave falë të cilëve ne kemi një trashëgimi të mirëfilltë politike dhe historike siç është Lidhja Demokratike e Kosovës”.

Në emër të kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa dhe kryesisë së LDK-së, qytetarëve dhe veprimtarëve të Obiliqit iu drejtua Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, z. Ismet Beqiri.

Beqiri i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe u uroj këtë përvjetor. Beqiri përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti i parë politik në vend dhe këtë e dëshmuan zgjedhjet e tetorit, ndërsa në Kuvendin e Kosovës LDK-ja sot është me Grupin më të madh Parlamentar.

“Ishte angazhimi i LDK-së që të votohej marrëveshja për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi, marrëveshje kjo e njëjta me atë të para tre vitesh për ta mundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur dhe do të vazhdojë ta përkrah formimin e Ushtrisë së Kosovës por gjithmonë në koordinim me miqtë tonë ndërkombëtarë”, tha ndër të tjerash z. Beqiri.

Beqiri falënderoi të gjithë veprimtarët e LDK-së që i kontribuuan shumë kohërave dhe të gjithë aktivistët që sot po angazhohen që shpejt ta kthejnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në qeverisje.

“Do të punojmë bashkërisht me shumë mund dhe angazhim që ta kthejmë Obiliqin dhe LDK-ja të udhëheq edhe në komunat tjera”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, z. Ismet Beqiri.

LDK – Zyra për Informim