LDK e Rahovecit: Nuk përkrahim asnjërin kandidat në balotazh

01.11.2017 20:40:17

Dega e LDK-së në Komunën e Rahovecit ka marrë vendim që të mos përkrahë asnjërin prej kandidatëve për kryetar në raundin e balotazhit.

Më 19 nëntor për të marrë postin e kryetarit të komunës janë në garë Smajl Latifi i AAK-së dhe Idriz Vehapi I PDK-së.

“Ky vendim u more unanimisht në dy takime, me kryetarët e nëndegëve dhe me kryesinë e degës”, thuhet në një komunikatë të degës së LDK-së nga Rahoveci.

“Kryesia e Degës se LDK-së në Rahovec e vlerëson lart kthimin e LDK-së si parti e parë në nivel vendi pas 10 vitesh, dhe përgëzon Kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, si dhe kandidatët e LDK-së në gjithë Kosovën”.

“Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i arritur në Komunën e Rahovecit nuk është i kënaqshëm, megjithëse kandidati i LDK-së për kryetar të komunës z.Ibrahim Kryeziu, bartësin e listës Dr. Fehmi Cena dhe kandidatët për kuvend komunal kanë bërë një fushatë shumë dinamike dhe dinjitoze, bazuar në program të qartë për zhvillim dhe jetë më të mirë për qytetarët, dukshëm më të mirë se të rivalëve”.

“Metodat jo demokratike të përdoruara nga rivalet politike për të bindur qytetarët e Rahovecit për të votuar ata do të zbardhen dhe do të jenë njollë përgjithmonë në angazhimin politik të këtyre partive dhe kandidatëve rivalë”.

“Kryesia e Degës së LDK-së në Rahovec ka vendosur të mos përkrah asnjërin kandidat në balotazh. Ky vendim u mor unanimisht në dy takime, me kryetarët e nëndegëve dhe me kryesinë e degës.

Kryesia e Degës falënderon të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit për mbështetjen që i kanë dhënë LDK-së në këto zgjedhje”.

“Kryesia falënderon të gjitha strukturat e degës dhe aktivistet për angazhimin në një fushatë shumë dinamike të komunikimit me qytetarë gjatë një muaji.

Kryesia e Degës do të analizojë në detaje arsyet për këtë rezultat dhe do të marrë masat e nevojshme për të përgatitur degën për zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të mbahen së shpejti”, thuhet aty.