LDK fton organet e drejtësisë të mos bien pre e linçimeve të VV-së

26.11.2017 19:00:29

Lidhja Demokratike e Kosovës i falënderon të gjithë votuesit për besimin e dhënë njëherit i garanton ata se do të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të vullnetit të tyre të shprehur në zgjedhjet lokale, veçmas në rastet në të cilat janë evidentuar parregullësi, siç janë Prishtina dhe Dragashi.

LDK-ja konsideron se vendimi i Gjykatës Supreme cenon të drejtën kushtetuese të kandidatit të LDK-së, sepse nuk ia jep mundësinë që në mënyrë transparente të vërtetohen rezultatet përmes procesit të rinumërimit. LDK-ja gjithashtu konsideron se, vendimi i Gjykatës Supreme është i pabazuar, i pakuptimtë dhe i paarsyetuar për faktin se, ky vendim në arsyetimin e tij megjithëse pranon parregullsitë e evidentuara gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor në Komunën e Prishtinës, nuk lejon rinumërimin e kutive të votimit si mekanizëm i vetëm për të korrigjuar shkeljet dhe gabimet e evidentuara nga zyrtarët tonë në ditën e zgjedhjeve.

LDK-ja konsideron se është me rëndësi që të sqarohet secila votë e qytetarëve tonë në secilën kuti të votimit, prandaj nga hapja e këtyre kutive të votimit nuk ka nevojë të frikësohet askush përveç atyre që kanë bërë manipulime në forma të ndryshme në ditën e zgjedhjeve.

LDK-ja është e habitur se si Vetëvendosje është barrikaduar, madje edhe duke kërcënuar e shantazhuar organet e pavarura kushtetuese, vetëm që të mos lejojë rinumërimin aq shumë të dëshiruar nga të gjithë qytetarët e Prishtinës.

Ne konsiderojmë se moslejimi i zbardhjes së të vërtetës rreth procesit të votimit në Komunën e Prishtinës është në kundërshtim me synimin dhe deklarimin e të gjitha subjekteve politike për një proces zgjedhor të rregullt e demokratik.

Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë të dinë të vërtetën në mënyrë që në katër vitet e ardhshme të udhëhiqen nga një kryetar legjitim dhe të pakontestuar nga askush.

LDK-ja respekton të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe i fton ato që të mos bien pre e fushatave linçuese dhe kërcënuese të Vetëvendosjes, por të vendosin sipas fakteve dhe ligjeve në fuqi në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, thuhet në reagimin e LDK-së.