LDK iu bënë thirrje qytetarëve që të votojnë të qetë!

11.06.2017 13:23:50

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas lajmeve të zyrtarëve të PDK-së, për deklarim se pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë po lëvizin drejt Kosovës.

Në reagimin e saj LDK thotë se PDK po krijon panik te qytetarët.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon ashpër tendencën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që nëpërmes zyrtarit të saj Blerand Stavileci, ditën e zgjedhjeve, po përhapë dezinformata për gjoja lëvizjen e ushtrisë së Serbisë në drejtim të Kosovës dhe në këtë mënyrë po krijon panik në ditën e zgjedhjeve”.

“Kjo është një tendecë e hapur e PDK-së për të krijuar panik te qytetarët dhe për të ndikuar drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, kinse sovraniteti i shtetit është në rrezik”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kjo parti po ka akuzuar edhe transmetuesin publik, për mos raportim profesional.

“Fatkeqësisht në këtë rast është përfshirë edhe transmetuesi publik, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), i cili po shkel standardet profesionale të raportimit të pavarur dhe në tri ditët e fundit, ngjashëm me PDK, po përhap panik te qytetarët për gjoja rrezikun që po vjen nga Serbia”, thuhet në komunikatë.

LDK ju bënë thirrje qytetarëve që të votojnë të qetë, pasi që nuk ka asnjë rrezik për sigurinë nacionale sepse për këtë përkujdesen organet tona të sigurisë dhe paqeruajtësit e KFOR-it.

PDK nëpërmes Stavilecit, sot hapur ju ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për koalicionin e tyre, duke bërë shkelje të rëndë të rregullave zgjedhore.

LDK fton monitoruesit ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje ndërsa nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë, kërkon që të ushtrojnë ndikimin e tyre te PDK që të mos dëmtojë këtë proces zgjedhor dhe t’i lëmë sovranit të vendosë për fatin e tij.