LDK-ja kujton avokatin Kelmendi dhe dy djemtë e tij, kërkon zbardhjen e vrasjeve

25.03.2018 22:39:50
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar sot avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, në 19-vjetorin e vrasjes së tyre nga regjimi serb.

“Sot, janë bërë 19 vite nga vrasja e Avokatit Bajram Kelmendi dhe dy bijve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit. Një ndër krimet më mizore dhe më të rënda që forcat e Serbisë kryen në Kosovë ishte vrasja brutale, 19 vjet më parë, e avokatit dhe veprimtarit të shquar shqiptar, Bajram Kelmendit dhe dy bijve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit”, ka thënë LDK, nëpërmjet një komunikate.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kujton veprën dhe jetën e Bajram Kelmendit dhe dy bijëve të tij, poashtu LDK-ja kërkon vazhdimisht nga institucionet e Kosovës që të punojnë në zbardhjen e rastit të familjes Kelmendi. Veprimtaria e Avokatit Kelmendi ka lënë gjurmë të pashlyeshme për historinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Kosova edhe sot ndjen dhembje të madhe për vrasjen e Bajram Kelmendit dhe dy bijve të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi për Avokatin Bajram Kelmendi dhe bijtë e tij”, përfundon komunikata e LDK’së.