Shpend Ahmeti i del krah Edi Ramës për taksën në Rrugën e Kombit

25.03.2018 22:54:36

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar çmimin prej pesë eurosh të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për një drejtim, për këdo që kalon me veturë nëpër Rrugën e Kombit.

Ahmeti, i cili javë më parë u largua nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka dalë krah kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Nëpërmjet një “cicërime” në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, Ahmeti e ka arsyetuar vendimin e marrë nga Qeveria e Ramës.

“Në Politika Publike autostradat konsiderohen të Mira Gjysmë Publike”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.

“Dikush duhet të paguajë mirëmbajtjen, ose të gjithë përmes taksave, ose vetëm ata që e përdorin përmes pagesës”, ka vlerësuar ai.

“Çmimi shumë lehtë kuptohet se a është i lartë bazuar në shpenzimet e mirëmbajtjes”, ka thënë Ahmeti.