LDK kërkon pezullim të votave me postë në Istog

24.11.2017 22:28:48

Rinumërimi i votave për Prishtinë, Prizren, Dragash dhe Rahovec nuk pritet të fillojë para të hënës për shkak se po pritet vendimi i Gjykatës Supreme karshi ankesave të deponuara ndaj vendimit të PZAP-së.

Në Gjykatën Supreme Vetëvendosje sot ka deponuar ankesë duke kërkuar anulimin e vendimeve për rinumërim në Prishtinë e Prizren, derisa LDK ka dorëzuar ankesë në PZAP duke kërkuar anulimin e votave me postë për Istogun, me pretendimin se ka fakte që janë të manipuluara.

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë për 15 komunat për të cilat nuk është kërkuar rinumërim. Ndërkohë që pavarësisht se KQZ ka marrë vendim që rinumërimi i tërësishëm i Prishtinës e Prizrenit dhe i pjesshëm i Dragashit e Rahovecit të nisë menjëherë, megjithatë tashmë është vendosur që të priten të kalojnë afatet ligjore derisa Gjykata Supreme të nxjerrë verdiktet e saj karshi ankesave të deponuara.

Në kuadër të tyre, Vetëvendosje ka deponuar sot dy ankesa ndaj vendimeve të PZAP-së për të dërguar në rivotim, Prishtinën e Prizrenit. Ky subjekt politik i ka kërkuar Supremes që ta anulojë këtë vendim dhe të urdhërohet numërimi i menjëhershëm i votave me kusht dhe me postë për Prishtinën e Prizrenin, duke shprehur droje për mundësinë e manipulimeve me kutitë e votimit të cilat po qëndrojnë në QNR.

Derisa me numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë për Istogun, rezultati në këtë komunë është përmbysur pasi shumica e votave me postë i shkuan kandidatit Gani Dreshaj të AAK-së, LDK si parti e cila nga rezultatet e 19 nëntorit printe në këtë komunë, i është drejtuar me një ankesë Panelit Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa. LDK i ka kërkuar këtij paneli që t`i anulojë në tërësi votat me kusht, duke deponuar fakte përmes së cilave ata pretendojnë se votat me postë janë manipuluar. Sidoqoftë për këtë ankesë, PZAP ka afat 72 orë për të nxjerrë vendim.

Ndërkohë që RTK mëson se sa i përket Prishtinës, Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit, rinumërimi i votave nuk pritet të fillojë para të hënës.