LDK: Në pesë komuna veçse jemi fitues, në dhjetë të tjera do të jemi në balotazh

22.10.2017 23:01:13

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se kjo parti i ka fituar pesë komuna pa balotazh, derisa sipas tij, ata janë në dhjetë komuna në balotazh.

Në anën tjetër, lideri i partisë, Isa Mustafa, ka thënë se është kënaqësi e veçantë me i prezantuar rezultatet e partisë që i ka arritur në zgjedhje.

“Si parti do të dalim të parët edhe për kryetar edhe për asamble. Është një rezultat i mirë, fitorja përkatësisht prezenca në balotazh në Prishtinë e kandidatit tonë”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka theksuar se është shumë i kënaqur me “kandidatin tonë që ka hyrë në një periudhë shumë të shkurtër dhe ka arritur ta fitojë simpatinë e qytetarëve”.

“Do ta përmbysim këtë rezultat gjatë kësaj periudhe. Shpresojmë edhe besojmë që në dhjetë komuna që jemi na balotazh do t’i fitojmë”, ka shtuar Mustafa.

Kandidati për të parin e Prishtinës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke shtuar se program i tij do të jetë fitues, dhe se ai do të jetë shumë shpejt kryetar i Prishtinës.