Leonardo tregon gjithçka: Oferta e Realit nuk na kënaq, Mbappe largohet me kushtet tona

26.08.2021 10:18:37

Mediat spanjolle aluduan për një ofertë zyrtare të Realit të Madridit ndaj Paris Saint Germain për kartonin e Kylian Mbappe, teksa u fol për një shifër stratosferike prej plot 160 milionë eurosh, ndërsa tani ka ardhur edhe reagimi zyrtar i klubit francez.

Ka qenë drejtori sportiv Leonardo, ai që në një prononcim të shkurtër për mediat franceze ka deklaruar se oferta nuk ka qenë aq sa u fol në media dhe se Mbappe do të largohet nga “Parc Des Princes” vetëm nëse plotësohen pretendimet e PSG-së.

“Oferta zyrtare e Realit ka ardhur, por është shumë larg asaj që ne pretendojmë për kartonin e Mbappe. Nuk flas me shifra, por është larg 160 milionë eurove dhe gjithashtu shumë larg asaj që ne kemi shpenzuar për ta marrë nga Monaco katër vite më parë, kur ishte ende një djalosh pa eksperiencë. Kemi bërë gjithçka që Mbappe të qëndrojë në Paris, por nuk do të mbajmë me zor askënd. Megjithatë Mbappe nuk do të largohet nga PSG nëse nuk përmbushen pretendimet tona”, deklaroi Leonardo.

Sulmuesi i talentuar francez e ka vendosur të lërë PSG-në këtë verë dhe ka refuzuar të gjithë ofertat për rinovimin e kontratës, teksa destinacioni i tij i preferuar është Reali i Madridit. Megjithatë spanjollët nuk kanë ndërmend të shpenzojnë shumë për një futbollist që vetëm verën e ardhshme do të jetë i lirë të vendosë vetë të ardhmen e tij.