Letra kërcënuese e “ISIS-it” dërguar UP-së, të merret seriozisht

15.02.2017 19:27:53

Ceremonia për shënimin e 47-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), që ishte paraparë të mbahet sot në Sallën e Kuqe, është anuluar për shkak të një letre kërcënuese.

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare në UP, Afrim Hoti tha se në letër ishte shkruar “ISIS-i ka me sulmua me datën 15.02.2017. Shihemi te Zoti”.

Lidhur me atë se a duhet të merret seriozisht nga institucionet një letër e tillë, analistë dhe njohës të çështjeve të sigurisë, kanë thënë se një gjë e tillë nuk duhet të injorohet.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kërcënimet e tilla shkaktojnë pasiguri te qytetarët.

“Organet e sigurisë duhet ta marrin seriozisht kërcënimin dhe të hetojnë se nga ka ardhur saktësisht. Kërcënimet e tilla shkaktojnë ndjenjë pasigurie te qytetarët, andaj organet përgjegjëse duhet të reagojnë sa më shpejt dhe me përgjegjësi”, ka thënë Mushkolaj, për Telegrafin.

Në anën tjetër Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë se ajo nuk paraqet rrezikim për Kampusin Universitar, por se prapë se prapë duhet të analizohet se sa është serioze një kërcënim i tillë.

“Universiteti i Prishtinës, është kapluar nga mafia shkencore e cila dita ditës po del se aty është politizuar çdo gjë. Ata paskan deklaruar se në adresë të tyre paska shkuar një letër kërcënuese nga ISIS-i, dhe për mendimin tim ajo nuk ka të bëjë fare me rrezikimin e Kampusit Universitar, edhe pse çdo informatë do të duhej të analizohet se sa është serioze lidhur me kërcënimet dhe rrezikun që do të mund ti kanosej Kosovës”, ka thënë Islami për Telegrafin.

Ai ka theksuar se UP-ja do të duhej t’i merr seriozisht vërejtjet për nivelin e ultë të kënaqshmërisë së rezultateve se sa me letra të dyshuara dhe të paverifikuara nga organet e sigurisë.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke e hetuar rastin, dhe se janë intervistuar disa persona lidhur me këtë.

Policia po ashtu ka thënë se në letër nuk ka ndonjë logo.