Lëvizja për Bashkim: Qeveria e Kosovës ka hartuar një shkresë e jo platformë

19.04.2018 20:32:32

Qeveria e Kosovës edhe në këtë mandat do të vazhdojë bisedimet me Serbinë pa platformë politike për zgjidhjen e problemeve që Kosovës i kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë.

Përmes një komunikate, thonë se  “ajo që sot prezantoi Qeveria e Kosovës dhe të cilën dëshiron ta quaj platformë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, as nuk i ngjanë një platforme!”.

Më tej thuhet se për më keq, edhe në këtë shkresë, si edhe në fazat e mëhershme të dialogut, ka vazhduar qasja e vjetër ndaj këtij dialogu. “Kosova me Serbinë bisedon vetëm për çështjen e serbëve në Kosovë dhe në përputhje me kompromiset ndaj tyre kërkon favore në integrimet ndërkombëtare! Kjo qasje e ka dëmtuar dhe do të vazhdojë ta dëmtojë Kosovën. Problemet jo vetëm që nuk do të zgjidhen, por do të komplikohen edhe më shumë”.

Në komunikatën për medie nga LB, thuhet se injorimi i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, mbyllja e syve para ndarjes së Mitrovicës dhe spastrimit etnik e kolonizimit të saj, bllokada institucionale me anë të fuqisë juridike të serbëve në Kuvendin e Kosovës, ndarja etnike përmes decentralizimit, asociacioni i komunave me shumicë serbe etj., do të jenë burim aktiv i problemeve dhe jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës.

“Lëvizja për Bashkim edhe një herë e thërret të gjithë spektrin politik shqiptar për një angazhim serioz e të sinqertë, në punën për hartimin e një platforme për zgjidhjen e problemeve që Kosovën po e mbajnë të gozhduar në shumë aspekte”, përfundon LB.