Lezhë, Rama: Legalizoni lidhjet e ujit, shmangni penalizimet

13.01.2018 10:36:43

Qeveria është zhvendosur prej ditës së djeshme në Lezhë, ku janë zhvilluar takime me drejtuesit lokalë dhe janë hedhur bazat për investime strategjike në këtë qark.

Mbledhja dy ditore e kabinetit, ka vazhduar mëngjesin e sotëm me një diskutim me qytetarët në Shëngjin.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ka ritheksuar nevojën për zhvillimin e turizmit në zonë dhe stimulimin e sipërmarrjes private.

“Dje kemi pasur një bashkëbisedim të gjatë me përfaqësues nga të gjithë sektorët qofshin publikë, kryetarët e bashkive apo drejtorë të institucioneve qendrore qofshin përfaqësues të sipërmarrjes dhe këtu në Lezhë për hir të së vërtetës ka aktorë të rëndësishëm të sipërmarrjes private”, tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë e ka fokusuar vëmendjen tek reforma e ujit, e cila do të nisë të zbatohet në 1 shkurt.

Ai i ka bërë apel qytetarëve që të pajisen me matësa sa janë në kohë, për të shmangur gjobat dhe penalizimet.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që në këtë qark ka probleme serioze pë furnizimin me ujë të pijshëm. Ka probleme të trashëguara por ende për t’u trajtuar lidhur me administrimin e ujërave në përgjithësi. Ndërkohë që dje me vendimin e qeverisë që kemi marrë, kemi përcaktuar edhe ndihmën financiare për të gjitha familjet në nevojë për vendosjen e matësve falas dhe subvencionimin e faturës së ujit. Ky është muaji i fundit që konsumatorët të legalizojnë lidhjen e tyre e të vendosin matësa pa asnjë penalizim. Pas muajit shkurt do ketë penalizime”, deklaroi Rama.

Në takim e mori fjalën edhe ministri Damian Gjiknuri, i cili u kërkoi bashkive të parashikojnë skema lehtësuese për debitorët e vjetër të ujit.

“Bashkitë të parashikojnë skema lehtësuese për debitorët e vjetër të ujit. Hartoni skema lehtësuese. Të rekuperohet të paktën 30 % e borxhit të vjetër”, nënvizoi Gjiknuri.