Ligji i mbetjeve, Meta kërkon ekspertizë të thelluar nga BE

21.10.2016 14:23:51

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie propozo një ekspertizë të thelluar të BE-së lidhur me debatin për ligjin për mbetjet.

“Mbetjet, debat i kuptueshëm dhe pozitiv. Qëllimi ynë nuk ka qenë për zgjidhje oportuniste, por zgjidhje parimore që garantojnë interesin e gjerë të publikut dhe kjo ka qenë arsyeja që ne kemi insistuar për dialog të ngushtë me shoqërinë civile. Jemi në një situatë ku kemi një interpretim të ndryshëm të direktivave të BE-së. Të pranojmë një ekspertizë të thelluar të BE në këtë drejtim, sepse miratimi i ligjeve në mënyrë konfliktuale dhe kur konflikti është i stisur për një çështje sensitive dhe shoqërimi gjithmonë i zbatimit me një dyshim të përhershëm nuk është pozitive”, tha Meta.

Meta foli edhe lidhur me reformën e shumëdebatuar në asrimin e lartë duke u shprehur se problemet që hasur në zbatimin e reformës së arsimit të lartë vijnë si rezultat i moskoordinimit në kohën e duhur të qeverisë, ministrisë, universiteteve.

“Dihet që nga përfaqësues të LSI ligji u mbështet por duke u thënë qartë se në rast se nuk do të zbatohej në mënyrën e duhur, nëse aktet nënligjore nuk do të bëheshin në kohë, pasi procesi gjithëpërfshirës me gjithë grupet e interesit, përfaqësuesit të trupës akademike, studentëve, maturantëve e kështu me radhë kishte shqetësime për suksesin e plotë të tij në zbatim. Praktikisht është hapur një debat i cili vetëm në fund të këtij procesi do të mund të japë konkluzione të qarta lidhur me efektivitetin e formulave të zbatimit të këtij ligji. Për ne, absolutisht që gjithçka ka qenë e evitueshme në rast se procesi i gjithë akteve të tjera të qeverisë, ministrisë apo të universiteteve do të ishin koordinuar në kohën e duhur në mënyrë që të kishim një përputhshmëri sa më të suksesshme midis meritës dhe preferencës. Për ne nuk është çështje statistike, por për ne dhe një njeri nëse do të lëndohej pa të drejtë nga një proces apo reformë është një problem dhe një ftesë serioze për rivlerësim dhe për rishikim jo të reformës, por mënyrës së zbatimit të kësaj reforme”, tha Meta.