Ligjvënësit evropianë kërkojnë nga OKB-ja që t’i kompensojë viktimat e helmuara me plumb në Kosovë

02.02.2019 12:08:52

Një letër e nënshkruar nga 55 deputetë të Parlamentit Evropian i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Këta deputetë janë shprehur të zhgënjyer për shkak se Kombet e Bashkuara nuk i kanë kompensuar viktimat e pakicave etnike në veri të Kosovës, të cilët janë helmuar me plumb pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Përmes kësaj letre, deputetët i kanë kërkuar sekretarit të përgjithshëm që të sigurohet se viktimat e helmimit me plumb në kampet e kësaj organizate në Kosovë të marrin kompensime individuale, kujdes të duhur shëndetësor dhe përkrahje për arsimim. Kjo letër mund të ofrojë shpresë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, të cilët janë duke i vuajtur pasojat shëndetësore të helmimit me plumb.

Një hetim i zhvilluar në vitin 2016 pikërisht nga Kombet e Bashkuara kishte vërtetuar se shumë njerëz kanë pësuar nga helmimi me plumb dhe ka kërkuar që këto viktima të kompensohen. Përveç kësaj, zyrtarët e OKB-së kanë kërkuar nga autoritetet kosovare që t’i mbrojnë komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve. Në korrik të vitit të kaluar, raportuesi special i OKB-së i kishte kërkuar Sekreatarit të Përgjithshëm që t’i kompensojë viktimat në mënyrë individuale.

Megjithatë, përgjigja e Sekretarit të Përgjithshëm deri tash nuk ka qenë e kënaqshme, duke marrë parasysh seriozitetin dhe shkallën e shkeljeve. Në vitin 2017, Kombet e Bashkuara e themeluan një fond, në të cilin shtetet do të ofronin mjete në mënyrë vullnetare. Nëse shtetet fillojnë të japin mjete për këtë fond, është e rëndësishme që ato të përdoren për nevojat specifike të viktimave, shkruan “HRW”