Limaj i gatshëm të sakrifikojë që VV dhe LDK t’i bashkohen PAN-it

15.06.2017 23:18:51

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se nëse LDK-ja do të hynte në koalicion me PAN-in, do të sakrifikonte aq sa t’ia dorëzonte postin e zëvendëskryeministrit.

 

“Nëse vjen LDK-ja, postin e zëvendëskryeministrit jam i gatshëm të bëj favor. Unë ia dorëzoj postin LDK-së. Unë kam premtuar për qeveri reformatore, jo qeveri të mendësisë së vjetër”, është shprehur Limaj në Zona e Debatit në Klan Kosova.

Mirëpo, Limaj ka theksuar se kjo nuk vlen vetëm për LDK-në, por edhe për Vetëvendosjen.

“Nisma do ta ketë vendin e vet në qeveri sipas rezultatit që e ka marrë në zgjedhje pra do ta ketë vendin meritor në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje kanë të drejtë kur thonë se janë të parët si parti.

“Në zgjedhje kanë dalë dy koalicioni dhe një parti – një koalicion ka dalë i pari, një parti e dyta dhe një koalicion i treti”.

“Kur thonë Vetëvendosje jemi të parët kanë plotësisht të drejt, sepse ne tash jemi parti të ndara. Por qytetarët na kanë votuara kështu siç kemi qenë në zgjedhje dhe mandatarin e kemi ne”, tha ai.