Limaj: Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin!

02.03.2017 12:41:08

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Colmarit për shtyrjen e vendimit për rastin e Ramush Haradinajt.

Limaj përmes një postimi në profilin  tij në “Facebook” ka shkruar “Mërzituni për shtetin, jo për Ramushin”, pasi sipas tij, kjo dramë që po ndodh me Ramushin është shpërfaqje e qartë se sa të papërfillshëm e kanë bërë shtetin tonë këta që janë duke e drejtuar.

“Me arsyet për të cilat është ndaluar dhe po mbahet Ramushi, asnjë shtet normal dhe i dinjitetshëm nuk do të lejonte që t’i ndodh kjo as edhe një qytetari të tij, e aq më pak një ish Kryeministri. Këta që sot po e drejtojnë shtetin tonë, ka vite që me entuziazëm kanë punuar në rrënimin e dinjitetit të shtetit. A nuk ishin po këta udhëheqës të shtetit tonë që pak ditë para se të ndalohej Ramushi, e akuzonin atë me po të njëjtat akuza me të cilat edhe është lëshuar fletarrestimi nga Serbia”, ka shkruar Limaj.

Më tej, ai ka thënë mjaftë më me hipokrizi dhe se është koha për të folur hapur.

“Të bashkohemi dhe t’i kthejmë dinjitetin shtetit tonë. E gjithë e keqja që po na ndodhë është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër”, ka përfunduar Limaj.