Limaj prezanton programin për vetëpunësim

Limaj prezanton programin për vetëpunësim

29.05.2017 17:34:33

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka prezantuar para të rinjve programin e kësaj partie për vetëpunësim.

Në këtë bashkëbisedim u tha se të gjithë të rinjtë që kanë ide kreative do të mbështeten për realizimin e asaj ide përmes projektit të vetëpunësimit.

I pari i Nismës u tha të rinjve se ministrat e kësaj partie në qeverisjen e ardhshme do të angazhohen në krijimin e një fondi të posaçëm për vetëpunësim.

“Duke parë nivelin intelektual të djemve dhe vajzave tona, ne kemi vëzhguar vite të tëra që kemi me qindra djem dhe vajza në Kosovë që kanë ide kreative, kanë dëshirë për punë, janë punëtorë dhe janë të përgatitur, por nuk kanë mundësi për të ia nisur. Ata kanë nevojë për nisje, kanë nevojë për një mbështetje për tu zhvilluar e pavarësuar, e me i zhvillua idetë e tyre, ku pastaj do ti kontribuonte edhe familjes së tij edhe shoqërisë. Prandaj, me këtë, ne si Nismë me ministrat tanë në qeverisjen e ardhshme të Kosovës do të angazhohemi në krijimin e një fondi të posaçëm, i ashtuquajturi fondi për vetëpunësim”, u tha të rinjve Limaj.

Sipas tij kur një djalë apo një vajzë që kanë ide kreative, por që nuk kanë mundësi që ta realizojnë atë plan, do të ketë ndihmë nga për të ofruar ndihmën për realizim të projektit të tyre.

Limaj tha se  ky fond do të jetë fond qendror dhe do të shpërndahet në qendrat rajonale, ku do të ofrojë mbështetje për të gjithë që kanë ide kreative se mund t’i gjejnë vetes punë.

“Ky fond, i cili do të jetë fond qendror do të shpërndahet në qendrat rajonale dhe të gjithë ato vajza dhe djem të cilët kanë ide se mund t’i gjejnë vetit punë, por kanë nevojë për një mbështetje shtesë, një kreditim, një grant nga shteti, do të vije në zyre atje ku mund të aplikojnë dhe mund të konkurrojnë për vetëpunësim, për të marrë grantin. Çka bënë shteti, shteti e përcjellë atë djalë, atë vajzë në realizmin e objektives së tij. Në qoftë se zhvillohet dhe e ka seriozisht sigurisht që pastaj me mbështetje të tjera ajo do të krijoj mundësi edhe për punësime të tjera”, tha ai.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se Kosova ka shumë të rinj të cilët kanë ide për të punësuar veten.

Në lidhje me këtë ai mori shembull nipin e tij, i cili qe gjashtë vjet nuk gjen mbëshgtetje për realizim të një projekti.

“Unë e kam një nip, Arianiti i cili qe gjashtë vite ka lënë punën e tij, ka qenë i punësuar dhe së bashku me disa shokë kanë sakrifikuar familjen dhe qe gjashtë vite në mënyrë vullnetare me ekip të vet mundohet me përfundua një projekt, një ide inovative. Herë mbështetet nga një OJQ dhe herë nuk mbështetet, herë mbështetet nga ndonjë organizatë e huaj e herë nuk mbështetet, konkurrojnë, janë tri katër vende që kanë marrë mirënjohje për inovacion në teknologji. E asi djem dhe vajza ka plot në Kosovë nëse shkon shteti dhe thotë se mirë që ju nuk po rrini gjithë ditën nëpër kafiteri, nuk po i ekspozoheni krimit , shkon shteti edhe i falënderon, por njëkohësisht edhe ja zgjatë dorën dhe i ndihmon”, tha Limaj.

Sipas tij, Kosova ka mjaft fonde për t’i bërë këto gjëra, por që sipas tij deri më tani ka pasur një problem se nuk ka pasur një qeveri reformatore.

Në fund të bashkëbisedimit i pari i Nismës për Kosovën porositi të rinjtë që të mos zhgënjehen dhe të mos e humbin shpresën. Ai u tha të rinjve se projekti i vetëpunësimit është i dedikuar për t’i fuqizuar ata.