Lista Serbe mund të mos marrë pjesë në votimin për demarkacionin, thotë Simiç

25.08.2016 16:19:40

Kryetari i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiç, ka thënë se deputetët serbë mund të „mos marrin pjesë në procesin e votimit të demarkacionit“.
Ai tha për Radion Evropa e Lirë se Lista Serbe „po vazhdon ta shqyrtojë mundësinë e pjesëmarrjes në votimin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion“, megjithëse e cilësoi si „një proces të ndërlikuar por të rëndësishëm për qytetarët që jetojnë jo vetëm në Kosovë“.

Kuvendi i Kosovës, pritet që të votojë projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, më 1 shtator, përkundër kundërshtimeve të fuqishme të partive politike opozitare.

“Deputetët serbë mund të mos marrin pjesë në këtë proces, sepse për votimin e këtij ligji janë të nevojshme dy të tretat e votave. Kuvendi i ka 120 deputetë prandaj janë të nevojshme 80 vota dhe ne ende po e shqyrtojmë mundësinë nëse do të marrim pjesë në një seancë të tillë”.“Ne jemi të përqendruar në avancimin ekonomik dhe infrastrukturor të mjedisit tonë. Kjo është një temë që nuk na ngarkon së tepërmi dhe në një vit të fundit kemi qenë jashtë gjithë procesit të vendimit për këtë cështje të rëndësishme dhe me interes vital“, tha Simiç.