Lista Srpska kërkon nga BE-ja presion kundër Kosovës

03.01.2017 17:21:15

Kryetari i Listës Srpska Slavko Simiç ka deklaruar sot se është koha e fundit që Prishtina të përmbushë detyrimet që ka marrë me marrëveshjen nga Brukseli dhe se Bashkimi Europian duhet t’ua thotë qartë liderëve në Kosovë se nuk ka arsyetim e as kohë për shtyrjen e formimit të Asociacionit të Komunave serbe, raporton Koha.net.

“Institucionet dhe bartësit e funksioneve politike në Kosovë në fund duhet të bartin përgjegjësi për shkak të prolongimeve dhe të obstruksioneve politike që vazhdimisht i imponojnë përmes partive politike opozitare për të margjinalizuar dialogun e Brukselit”, ka thënë Simiç për agjencinë serbe të lajmeve Beta.

Sipas fjalëve të tij, qëllimet e këqija duhet të largohen dhe BE si ndërmjetës në dialogun Beograd – Prishtinë duhet të reagojë.

“Kohë nuk ka më. Duam bashkëpunim të hapët e të sinqertë përmes punës së përbashkët dhe nxjerrjen e dekretit për formimin AKS-së dhe respektimin e asaj që është nënshkruar në Bruksel. Si dhe respektimin e asaj që është nënshkruar me partnerët e koalicionit me rastin e formimit ë Qeverisë së Kosovës”, ka thënë i Listës Srpska.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është bërë me marrëveshje koalicioni që parasheh formimin e AKS-së që sipas tij, është dashur të themelohej kaherë.

“Në koordinim me Qeverinë tonë, kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën Marko Gjuriç, do të ndërmarrim të gjithë hapat politikë kur bëhet fjalë për procesin që është bazë e Marrëveshjes së Brukselit, marrëveshjes për formimin e AKS-së, që do të bëhet në festën e Stretenjes sivjet”, ka thënë Simiç.