Liverpool vijon me rinovimet, “blindon” edhe skocezin Robertson

25.08.2021 09:12:27

Liverpool vijon të blindojë me kontrata afatgjata futbollistët që i konsideron të rëndësishëm për të ardhmen e klubit, teksa lojtari i radhës që ka firmosur rinovimin është mbrojtësi i majtë skocez, Andy Robertson.

Futbollisti 27-vjeçar është një titullar i padiskutueshëm për formacionin e Jurgen Klopp dhe ka pranuar të firmosë një kontratë të re me “the reds”, e cila do ta mbajë në “Anfield Road” deri në verën e 2026-ës.

“unë dua të qëndroj në këtë klub aq gjatë sa të jetë e mundur dhe jam gjithmonë gati kur bëhet fjalë për rinovim,. Jam shumë i lumtur për kontratën e re, pasi unë dhe familja ime jemi vendosur këtu tashmë dhe duam më të mirën për këtë klub”, deklaroi ndër të tjera Robertson.

Futbollisti 27-vjeçar skocez është vetëm lojtari i radhës që rinovon kontratën me Liverpoolin, pasi më herët të njëjtën gjë kanë bërë portieri Alisson Becker, mbrojtësit Virgil Van Dijk e Alexander-Arnold dhe mesfushori Fabinho.

Synimi i radhës i “the reds” është të rinovojnë kontratën edhe me yllin egjiptian Mohamed Salah, me të cilin kanë nisur edhe negociatat, teksa në Angli thuhet se sulmuesi mund të bëhet lojtari më i paguar në historinë e klubit të Liverpool.