Lladrovci: Drenasi nuk do të bëhet Malishevë

13.12.2016 16:58:16

Ramiz Lladrovci beson se qytetarët e Drenasit, më 18 dhjetor, do t’u drejtohen kutive të votimit me idenë e qartë për ta vazhduar qeverisjen me Partinë Demokratike të Kosovës.

I bindur se kjo mes tyre është një lidhje e pashkëputshme, Lladrovci, i cili do të përballet në balotazh me kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlaj, ka deklaruar se Drenasi do ta refuzojë modelin e qeverisjes së Malishevës.

Duke folur për Indeksonline, kandidati i PDK-së ka vlerësuar se qytetarët e kanë krejtësisht të lehtë zgjedhjen.

“Midis mundësisë për ta zhvilluar Drenasin dhe mundësisë për ta izoluar Drenasin, zgjedhja është e qartë. Drenasi nuk do të bëhet Malishevë”, ka thënë ai.

Lladrovci, më tutje, ka shtuar se Nisma, pasi ka marrë pushtetin në Malishevë, e ka bërë këtë komunë model të qeverisjes së dobët.

“Për çfarë është shquar kjo parti në Malishevë? Asnjë investim të madh, asnjë investim të huaj, asnjë përparim. Është komunë e izoluar”, është shprehur ai.

Kandidati i PDK-së ka pohuar se Nisma, parti kjo e formuar pas ikjes së Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga PDK, ka ditur të tregojë vetëm “hakmarrje” ndaj PDK-së në Malishevë, por se këtë nuk do të mund ta bëjë në Drenas.

“Ka larguar arsimtarët nga puna, me pretendimin se ata ishin kuadro të PDK-së. Madje, ka shkuar deri atje sa t’ua ndryshojë edhe ngjyrat fanellave të ekipit të basketbollit, nga të kaltra i ka bërë të portokallta, duke e prekur kështu me ngjyrat e saj politike edhe sportin. Nisma e dëshiron të njëjtën gjë edhe në Drenas. Ky është i vetmi ndryshim që ajo e do në Drenas. Por, qytetarët e Drenasit nuk do të lejojnë që ta kenë fatin e Malishevës. Drenasi nuk do të bëhet Malishevë”, ka deklaruar Lladrovci.

Në raundin e parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit, të mbajtur më 4 dhjetor, RamizLladrovci ka marrë 9.458 vota, ose 45.34 për qind, ndërsa Isa Xhemajlaj ka marrë 5.462 vota, ose 26.19 për qind.

Në balotazh, në krah të Xhemajlajt janë vënë të gjitha partitë dhe kandidatët e pavarur, gjë që e ka bërë Nismën të besojë se momenti i saj është duke ardhur.

Por, Lladrovci, krejt i qetë, ka dhënë një mesazh.

“Mund t’i kuptoj, i ka përfshirë euforia me koalicionet. Mendojnë se duke u bërë të gjithë bashkë kundër meje, do të fitojnë. Por, kalkulimet i kanë gabim. Vota e PDK-së në Drenas nuk është shpërndarë. Ata, as nuk kanë marrë votë të PDK-së në Drenas, e as nuk do të mund ta marrin atë. Drenasi ka votë veç për fitore dhe ajo fitore lidhet veç me PDK-në”, ka thënë Lladrovci.