Lu: 2017-a, vit i shkëlqyer për Shqipërinë; nis zbatimi i reformës në drejtësi

16.03.2017 19:43:46

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu është shprehur shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë, ndërsa ka deklaruar se 2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për vendin pasi është viti kur nis zbatimi i reformës në drejtësi.

Në mbledhjen e përgjithshme të asamblesë së dhomës amerikane të tregtisë, Lu inkurajon autoritetet shqiptare të luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit.

“Këtë vit do të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe SHBA-të do ju mbështesin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. 2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë, – deklaron Lu. – Këtë vit do të shohim investime kombëtare në Shqipëri. Do të jetë viti i zgjedhjeve parlamentare. Zbatimi i reformës në drejtësi do të përmirësojë klimën ndaj biznesit. Disa njerëz mendojnë se jam optimist, por unë jam realist. Shoh të vijnë gjëra të mira për popullin shqiptar”.

Gjatë fjalimit të tij, Lu nënvizoi se me zbatimin e reformës në drejtësi, do të nisë punë edhe struktura e posaçme anti-korrupsion, që do të ndëshkojë zyrtarët dhe funksionarët më të lartë kur ata kanë shkelur ligjin.

“Byroja e hetimit do të trajtojë korrupsionin në nivele të larta. SHBA-të kanë investuar për këtë strukturë, ndaj është e rëndësishme që ajo të nisë nga puna”.